Nga Luljeta Progni
Si një prej personazheve kryesore të zhvillimeve politike të dhjetorit 90, Ramiz Alia, shfaqet në opinionet e drejtuesve të opozitës herë si aleat herë si kundërshtar.
Në vitin 1990, në krye të regjimit, ai kishte mundësinë të vepronte me egërsi ndaj lëvizjeve anti-PPSH që lindën në dhjetor `90. Ishte sekretar i parë i KQ të PPSH. Por ishte koha kur në vendet e tjera të Lindjes kishte rënë komunizimi. Ramiz Alia me aleat të vetëm byronë e tij politike të mplakur, nuk mund të rezistonte shumë gjatë.
Përvoja e Rumanisë qartësoi mirë situatën. Nëse Shqipëria do të tentonte të shtypte me dhunë lëvizjet demokratike, sigurisht që skenari i Çausheskut ishte një version, dhe më i mundshmi. Në këtë situate, Ramiz Alia duket se zgjodhi një tjetër rrugë. Shfaqjen e tij si liberal. Lëshimet graduale erdhën dhe u finalizuan pikërisht në dhjetor 1990, kur me vendim të pleniumit të KQ të këtij muaji, u shpall pluralizmi politik.
Prej këtij momenti, në skenë u shfaqën aktorë të shumtë me të cilët Alia duhet të bënte patjetër marrëveshje. Një sërë marrëveshjesh mes PPSH-SË dhe PD-SË pas dhjetorit `90, ishin në funskion të ruajtjes së stabilitetit në vend.
Sfida kryesore e Ramiz Alisë dukej të ishte një skenar i tranzicionit të pushtetit pa dhunë dhe pa viktima. Sigurisht, kjo do t’i shërbente atij dhe pjesës tjetër të PPSH-së si një “biografi e mirë” për të ardhmen e afërt në Shqipërinë pluraliste.
Marrëveshjet me PD-së ishin në funksion të ruajtjes së këtij stabiliteti. Por për Ramiz Alinë dhe pjesën tjetër të byrosë, aktive, ishte e rëndësishme që PPSH të vazhdonte të ishte një alternativë kryesore për elektoratin shqiptar.
Distancimi nga figura e udhëheqësit nuk mund të bëhej kaq shpejt. Ndaj dhe strategjia për të ruajtur figurën e Enver Hoxhës shpejt u konkretizua me themelimin e “Vullnetarëve të Enverit”, një organizatë që drejtohej nga një prej bashkëpuntërorëve të ngushtë të Enver Hoxhës, Hysni Milloshi. Lajmi për krijimin e kësaj organizate u dha si kryeartikull në gazetën “Zëri i Popullit”, ndërsa aktivitetet e tyre pasqyroheshin në mënyrë të detajuar nga TVSH.
Kjo do të thotë se ishte e strukturuar dhe e mbështetur plotësisht nga Ramiz Alia dhe Byroja Politike. Por cila ishte situata në cilën u shfaq ky organizim?
Megjithëse ishte publikuar vendimi i Kuvendit Popullor i 23 janarit 1991, një dekret i cili mbronte me ligj emrin dhe bustet e Enver Hoxhës, lëvizjet opozitare veçse u përforcuan kundër figurës dhe busteve të diktatorit.
Lëvizja studentore e cila shpejt u finalizua në grevë urie, e kishte shpërfillur këtë dekret dhe pasojat që sillte çdo veprim ndaj busteve.
Rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës në qendër të kryeqytetit më 20 shkurt 1991, rrëzoi një pjesë të rëndësishme të fuqisë që kishte ende PPSH. Kjo ngjarje e egërsoi pjesën radikale të Byrosë Politike dhe brenda tyre lindën kontradikta. Në dëshmitë e mëvonshme, konstatohet se Ramiz Alia u vlerësua si një “dinak” në këtë moment, pasi nuk mbajti një qëndrim të qartë lidhur me reagimin, që sipas tyre, duhet të kishte rendi në mbrotjen e simboleve, e përcaktuar në dekretin në fjalë.
Nga ana tjetër, Ramiz Alia investoi në besueshmëri ndaj pjesës tjetër, pra të opozitës. Prej tyre mund të kërkonte marrëveshje të reja. Bazuar në këtë marrëveshje me Ramiz Alinë, Partia Demokratike kishte marrë një vendim pas rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës në qendër të Tiranës: të gjitha degët e kësaj partie ishin porositur nga qendra që të mos nxisnin protesta që stimulonin rrëzime bustesh në qytete të tjera, me qëllim për të shmangur acarimine situatës në vend. Por kontrolli mbi turmat nuk mund të vendosej lehtë.
“Vullnetarët e Enverit” dhe rreziku i përplasjes civile
Pas rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës më 20 shkurt 1991, akti i rrëzimi të busteve u masivizua shpejt në të gjithë Shqipërinë. Vendimi Komisionit Nismëtar të PD-së nuk u zbatua nga asnjë prej degëve të kësaj partie në rrethe. Reagimi i PPSH ishte i shpejtë. “Vullnetarët e Enverit” u krijua brenda pak ditësh. Në rradhët e tyre ishin individë të cilët morën përsipër të ruajnë jo vetëm bustet por edhe emrin dhe veprën e Enver Hoxhës. Brenda pak ditësh kjo organizatë u masivizua në të gjithë Shqipërinë, me aktivitete intensive.
Ballë për ballë, dy palët po agravonin në qëndrime e veprime. Aktivistët e lëvizjes antikomuniste rrëzonin bustet e Enver Hoxhës, ndërsa vullnetarët e Enverit i rikthenin ato. Situata shpesh bëhej komike. Është rasti i Fierit për të cilin jep detaje Arben Demeti, sekretari organizativ i PD-së në atë kohë. Demeti shprehet se kur aktivistë të lëvizjes demokratike e hiqnin bustin e Enver Hoxhës dhe e hidhninn në lumin Gjanicë, vullnetarët e Enverit prisnin atje, e merrnin e pastronin dhe e vinin sërish në vendin që ishte. Sërish kundërshtarët e merrnin dhe hidhnin në lumë dhe situata vazhdontë kështu. Por kjo nis të shoqërohej edhe me përplasje fizike mes turmave.
Ngjarja e Shkollës së Bashkuar është një tjetër rast ku përplasen “Vullnetarët e Enverit” me lëvizjen demokratike. Në datën 21 shkurt, një grup ushtarakësh të kësaj shkolle, me një bust të diktatorit Enver Hoxha në dorë, u nisën drejt qëndrës së Tiranës për ta vendosur në vendin e lënë bosh pas rrëzimit të statujës së madhe, një ditë më parë. Është një ndër ngjarjet më të rëndësishme të atyre ditëve.
Në këtë situatë të tensionuar, Ramiz Alia vendosi të bëjë ndryshime thelbësorë ne drejtimin e vendit. Ai shkarkoi nga detyra qeverinë Çarcani dhe në vend të tyre u emëruan disa intelektualë, ndër të cilët edhe Fatos Nano.
Menjëherë pas krijimit të qeverisë së re, Ministria e Brendshme doli në deklaratë zyrtare dhe kërcënoi se do të vepronte kundër akteve të dhunës dhe protestave, ritmi i të cilave ishte gjithnjë në rritje. Dorëheqja e qeverisë dhe zëvendësimi i tyre me emra të rinj, të cilët s’kishin të bënin drejtpërdrejt me udhëheqjen e lartë të parties, ishte një hap, për të cilin Ramiz Alia kërkonte një farë “shpërblimi” nga turmat e irrituara dhe nga ata, që sipas tij e kishin marrë me shumë nxitim procesin e demokratizimit të vendit. Ai pretendonte se, me ndryshimet e rëndësishme që u kryen, duhet të ulej ritmi i reagimit popullor kundër udhëheqjes së partisë. Por ritmi i reagimit popullor kundër PPSH-së dhe qeverisjes së saj, nuk po pësonte zbutje, përkundrazi rritej çdo ditë.
Takimi PPSH-PD më 5 mars 1991
Në këto kushte, Ramiz Alia kërkoi një takim tjetër me përfaqësues të partive politike, për të ndikuar në stabilizimin e situatës. Në takimin me përfaqsues të partive politike, të zhvilluar me 5 mars 1991, Ramiz Alia iu kërkoi atyre më shumë se ç’pritej: Një marrëveshje e cila të parashikonte ruajtjen e busteve të Enver Hoxhës dhe të mos bëhej propagandë kundër figurës së tij. Kërkesa e Alisë duket se u miratua nga partitë politike, por marrëveshja nuk funsksionoi për turmat e irrituara. Ato nuk ndaleshin në rrugën e tyre për rrëzimin e busteve të diktatorit. Paralelisht më këtë masivizohej aktiviteti i “Vullnetarëve të Enverit”.
Në atë kohë, ministër i Brendshëm ishte Gramoz Ruçi. Ja si e kujton ai 23 vite më pas në një intervistë për librin “Pardesytë e Bardha”, në vitin 2012.
“Në atë qeveri u emërua kryeministër Fatos Nano dhe unë u emërova ministër i Brendëshëm, pra menjëherë pas rënies së bustit të Enver Hoxhës. Me thënë të drejtën në fillim hezitova, por në fund mendova se këtë detyrë dikush do ta bënte, pra një shqiptar do të ishte ministër i Brendshëm në atë kohë të vështirë dhe vendosa ta pranojë këtë detyrë. Ky fat, i mirë apo i keq më ra mua. Misioni im në atë detyrë ishte të përpiqesha sa më shumë bashkë me bashkëpunëtorët e mi për ruajtjen e stabilitetit në Shqipëri, pasi momenti politik ishte i rëndësishëm; situata ishte e tillë sa nga çasti në çast vendi mund të kalonte në luftë civile. Kam parasysh se lëvizjet demokratike në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë ishtin të vrullshme, dhe udhëheqja nga emocionet shpesh i çonte në veprime të pakontrolluara. Përballë tyre ishin nostalgjikët e Enver Hoxhës të cilët u rigjallëruan dhe krijuan lëvizjen e “Vullnetarëve të Enverit”. Kjo lëvizje në fillesat e saj ishte e frikshme. Ata nisën të grupoheshine organizoheshin dhe përplasja e tyre me lëvizjen demokratike të sapolindur ishte në çdo çast e mundshme. I ndodhur në këtë situatë, unë kisha përgjegjësinë e madhe kombëtare që në asnjë mënyrë të mos ndodhte një përplasje e tillë. Sigurisht që situatë nuk mund të përballohej me mjete dhe forca të dhunshme, kështu që më aq përvojë sa kishim me mekanizmat që koha në vinte në dispozicion, u përpoqëm dhe ia dolëm të shmangim këtë përplasje. Në atë kohë dihet që ne nuk kishim përvojën e duhur, por me të gjithë aktorët e faktorët ia dolëm që të shmangim këtë përplasje e cila do të ishte fatale për Shqipërinë.”
Në një pozicion mjaft të vështirë, pasi mbante përgjegjësinë e ruajtjes së rendit, Ruçi shprehet se bashkëpunimi me drejtuesit e PD-së ishte një faktor mjaft pozitiv që ndikoi në mënyrë vendimtare për shmangjen e përplasjes civile. Ai jep detaje nga negociatat me themeluesit e PD-së, rolin e tyre dhe të të gjithë grupit parlamentar demokrat, i dalë nga zgjehdjet e 31 marsit. Duke shprehur konsideratë të lartë për atë grup drejtuesish të PD-së, Ruçi thekson se pa bashkëpunimin me ta, ishte i pamundur misioni i ruajtjes së rendit dhe qetësisë, shmangja e përplasjes civile.
“Megjithëse u krijua parlamenti i parë pluralist në Shqipëri, i cili filloi aktivitetin politik me krjimin e qeverisë etj., sigurisht që pritej që pjesë e axhendës së opozitës të ishte dhe kërkesa për ndryshim, për zgjedhje të parakohshme. Pra ishte një vit i nxehtë me deklarata e qëndrime politike, me një betejë të ashpër parlamentare, edhe pse nuk kishte një përvojë politike të zhvillimit të betejave parlamentare. Sigurisht që në këtë aspekt, kanë meritën e madhe ata individë e deputetë të zgjedhur nga Partia Demokratike.
Dua të shpreh konsideratën time për atë grup paralmentar të PD-së, dhe unë mendoj se një grup më të mirë se ai i vitit 1991 nuk është përsëritur më në këtë parti. Unë vlerësoj kapacitetet intelektuale të të gjithë atij grupi, pra të zgjedhjeve të 31 marsit.
Kishte mungesë përvojë dhe një mjedis të disfavorshëm për ta, kishte vështirësi reale të lëvizjes dhe të veprimit të tyre në të gjithë tetiritorin, por ia dolën të zhvillonin betejën e tyre në atë kohë dhe unë kam vlerësim mjaft pozitiv për të gjithë ata burra e gra të atij grupi parlamentar të PD-së. Sigurisht, si për të tjerë edhe për Sali Berishën kam vlerësime jashtëzakonisht pozitive”, thotë Ruçi.
Marrë nga libri memuaristik “Pardesytë e Bardha”, të autores Luljeta Progni
/tesheshi.com/