Që nga Himara, kryeministri Rama ka deklaruar se “ligji i luftës” me Shqipërinë – atë që Greqia ende e mban në fuqi – është një absurditet. Gjatë një interviste për gazetaren Eni Vasili në emisionin e saj ‘Studio e Hapur’ – realizuar në Himarë për shkak të fushatës – Rama i ka mëshuar dhe njëherë fort raporteve të trazuara së fundi me politikën e Athinës. Pasi shprehu bindjen se PBDNJ do humbet në Himarë ashtu siç humbi në zgjedhjet e kaluara, Rama vijoi të shpjegohet mbi ecurinë e marrëdhënieve me Greqinë. Ja një copëz interviste pikërisht për këtë pikë:
Eni Vasili: Në fakt ju jeni shprehur në lidhje me reagimin e qeverisë greke pas largimit të zotit Dule, por ministri i Jashtëm grek është shprehur se çështjeve shqiptare, çka do të thotë deti, nafta ligji i luftës etj, do ti japin zgjidhje nëpërmjet një pakete. Ju e keni dijeni për këtë paketë? Ka filluar ndonjë negociatë me palën greke?
Edi Rama: Nuk kemi dijeni, por ne kemi qenë që në krye të herës të gatshëm që të diskutojmë për të gjitha çështjet e bartura dhe kemi adresuar nevojën për ta nisur që nga ligji i luftës që është një absurditet total dhe për ta çuar pastaj me radhë diskutimin në të gjitha çështjet e tjera. E nisëm këtë punë me qeverinë e kaluar, zgjidhëm çështjen e toponimeve që i rëndonte shumë shqiptarët, sidomos kur duhet të ktheheshin në Shqipëri dhe të kalonin kufirin dhe anasjelltas.
Pastaj gjërat ndryshuan në Athinë dhe ne presim që qeveria e Athinës të jetë më e qetë, të zgjidhë problemin jetik që ka me kreditorët dhe pastaj të shikojmë mundësinë për të gjetur me qetësi zgjidhjet e duhura
Eni Vasili: Çështja e detit do të mbetet për në Strasburg? Do kërkoni një arbitër ndërkombëtar për ta zgjidhur, ndërkohë që ka nisur të kërkohet nafta, ju keni bërë një notë proteste
Edi Rama: Nuk rezulton të ketë nisur konkretisht puna për kërkimin e naftës sepse do të ishte një shkelje e rëndë, e një kuadri gjërash. Jemi praktikisht para një situate shumë të brishtë, por padyshim për ne është një çështje e interesit kombëtar, e sovranitetit territorial të Shqipërisë dhe do diskutohet për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme dhe që në krye të herës ne kemi qenë të gatshëm të përfshijmë një palë të tretë të painteresuar drejtpërdrejt siç jemi ne dhe Greqia, dhe të bazuar në një ekspertizë të lartë ndërkombëtare.
P.S. Me këtë rast duhet sqaruar dhe diçka: javë më parë, një deklaratë e deputetit të Jugut, Koço Kokëdhima se Shqipëria nuk ka patur asnjëherë luftë me Greqinë, nga një media u cilësua si gafë. Por në fakt nuk është gafë, pasi përkundër faktit të raporteve shpeshherë të acaruara mes dy vendeve, ose të një mungese afeniteti fqinjësor në rrafshin politik, social e kulturor, në terma klasikë Greqia e Shqipëria nuk kanë patur asnjë luftë mes tyre, por vetëm incidente. Media në fjalë i adresohej genocidit çam për ta cilësuar si gafë deklaratën e Kokëdhimës, por ai ka qënë genocid dhe jo luftë, derisa nuk ka patur palë ndërluftuese. /tesheshi.com/