Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije ditën e sotme se do të ndërmerret një operacion i gjerë në kompanitë e prodhimit dhe të përpunimit hidrokarbureve, të cilat do tu nënshtrohen kontrolleve me tolerancë zero.
“Do të ushtrohet kontroll në rafineritë e prodhimit dhe përpunimit të naftës. Do të kontrollohet cilësia e karburanteve. Do të ketë një kontroll rigoroz për naftën, tregtimin me shumicë, me pakicë. Do të ketë procedura të kontrollit sasior në rastet e eksportit si dhe me shoqëritë e prodhimit të naftës bruto, ku toleranca do të jetë zero”,- tha Kryeministri në një deklaratë për media të bërë nga ambientet e kryeministrisë.
Sipas kryeministrit, ky është një operacion që vjen në një moment shumë të rëndësishëm për ekonominë tonë dhe që do të kryhet me të njëjtën metodologji si operacioni i energjisë elektrike dhe i ndërtimeve të paligjshme.
“Bazohet në eksperiencën e 18 muajve, në analizën e bërë në këtë sektor dhe në një projekt shumë të qartë që nuk do të ndalet, sepse beteja me grabitësit e pasurisë sonë kombëtare është jetike për ekonominë kombëtare, për familjet tona dhe për cilësinë e mjedisit”,- deklaroi kreu i qeverisë.
Ai shtoi se është shumë e rëndësishme që e gjithë industria të kuptojë se qeveria mbështet këdo që bën në këtë sektor ndërmarrje të drejtë dhe të bazuar mbi ligj por nuk pajtohet me asnjë sipërmarrje që shkel ligjin./tesheshi.com/