Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se policia do të ndëshkojë dhe dërgojë para drejtësisë autorët e vrasjes së një efektivi të forcave special elitë RENEA dhe plagosjen e dy të tjerëve.
Bashke me Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, Rama ka shkuar në spitalin ushtarak pak pasi kanë mbërritur efektivët nga Gjirokastra. Pas një vizitë të shkurtër dhe bisede me kolegët e tyre, Kryeministri ka folur pak për mediat, duke thënë se sot është një ditë zie për policinë e shtetit dhe shqiptarët e ndershëm. Rama e cilësoi si një barbari krimin e kryer, ndërsa shtoi se dy efektivët e plagosur janë jashtë rrezikut për jetën.
“Duhet të ndjehen vërtet keq, ata që për fatin e tyre të keq, edhe në këtë moment kur policia është në betejë me këtë grup vrasësish, flasin me dy kuptime, madje fajësojnë policinë në mënyrë jo të drejtpërdrejtë. Paçin faqen më të zezë”, theksoi Rama./tesheshi.com/