Më në fund një lajm i mirëpritur që i shërben qytetarëve të Kosovës. Qeveria Mustafa ka miratuar sot dy marrëveshje me Republikën e Maqedonisë, njëra për kalimin në pikat kufitare vetëm me letërnjoftim, pra pa qenë nevoja për pasaportë dhe tjetra për klimin e drejtuesve të automjetëve pa qenë nevoja që të pajisen me patent ndërkombëtare. Edhe nisma për nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për kushtet e udhëtimit të shtetasve të dyja vendeve është miratuar në parim nga kabineti qeveritar. Marrëveshja rregullon lëvizjen e shtetasve të të dyja vendeve në territorin e palës tjetër pa viza dhe me një dokument të vlefshëm udhëtimi ose kartë të vlefshme biometrike të identitetit dhe do të avancojë bashkëpunimin në mes të dyja vendeve dhe lëvizjen e lirë të njerëzve.
Të dyja vendet do të njohin patentë shoferët e lëshuar nga autoritetet kompetente dhe në pajtim me legjislacionin e tyre kombëtar.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ka njoftuar kabinetin qeveritar për vizitën në Gjermani dhe për takimet e zhvilluara atje.