Qitësi turk Yusuf Dikec, i cili tërhoqi vëmendjen e publikut botëror me stilin e tij të gjuajtjes me pistoletë ajrore në Lojërat Olimpike në Paris, ku fitoi medaljen e argjendtë, tha se gjatë performancës dukej i qetë nga jashtë, por krejt stuhi e tërbuar nga brenda.
Dikec dhe shoku i skuadrës Sevval Ilayda Tarhan fituan medaljen e parë për Turqinë në qitje në historinë e Lojërave Olimpike. Qëndrimi i tij i pazakontë teksa gjuante, me njërën dorë në xhep, u bë viral.
Pas kthimit në vendlindje, Dikec ka folur për mediat. Duke iu përgjigjur pyetjes se si e sheh faktin që performanca e tij shkaktoi reaksion në mbarë botën, Dikec tha se nuk e priste një gjë të tillë.
“Nuk e prisja kurrë që të kishte kaq shumë jehonë. Si gjithmonë mora një pozicion dhe qëllova objektivin”, tha Dikec, duke theksuar se ishte duke u përgatitur për Olimpiadën prej kohësh.
Suksesi i gjithë Turqisë
Ai beson se medalja olimpike nuk është vetëm e tij, por e gjithë Turqisë.
“Ne u përgatitëm shumë mirë për këtë kompeticion. Qëllimi ynë ishte një medalje ari, por ajo iku në minutën e fundit. Arritëm në finale duke thyer rekordin olimpik. Ky ishte një lehtësim dhe një presion i vogël për ne. Ne luftuam mirë me Ilayda-n deri në minutën e fundit”, tha Dikec.
Ai shpjegon se si çdo qitës ka një qëndrim të përshtatshëm për strukturën e tij anatomike. Dhe për qëndrimin e tij që u bë viral në rrjetet sociale, Dikec shprehet: “Ishte pozicioni në të cilin ndihesha më rehat dhe në të cilin mund ta mbaja trupin më të qëndrueshëm”.
Ai thotë se gjithmonë u thotë bashkëlojtarëve të rinj se detyra e tyre parësore është të fitojnë një medalje, por që menjëherë pas kësaj vjen detyra që ta përfaqësojnë vendin e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Duhet të keni kujdes për qëndrimin, sjelljen dhe stilin e jetesës kur mbani fanellën e Kombëtares. Ne ndoshta zumë vend në zemrat e të rinjve, gjuajtësve dhe fituam simpatinë e tyre, ndaj njerëzit u përgjigjën kështu. Kjo na bëri të lumtur. Yusuf Dikec është vetëm një emër, prandaj them, jam shumë krenar dhe i lumtur që publiku flet për mua si sportist turk dhe jo si Yusuf Dikec”, tha qitësi i suksesshëm turk. /tesheshi.com/