Viktima e shkatërrim ka lënë pas në Haiti uragani “Methju”, stuhia më e fuqishme e Karaibeve në dhjetëvjeçarin e fundit.
Zyrtarët kanë deklaruar ditën e djeshme për 283 të vdekur nga katastrofa më e fundit natyrore në vendin e varfër, por agjencia e lajmeve Reuters flet për 339 viktima duke iu referuar një tjetër zyrtari të paemër.
Pjesa më e madhe e të vdekurve në Haiti kanë qenë në qyteza dhe në fshatra në bregun jugor. Shumë prej viktimave e kanë humbur jetën nga pemët e rëna, nga lumenjtë e dalë nga shtrati, e prej lloj-lloj sendesh të fluturuara në ajër.
Bashkë me viktimat, janë shkatërruar të mbjella e kanë ngordhur bagëti, duke e bërë më të mjerë gjendjen në Haiti.
Uragani, tashmë një stuhi e kategorisë së tretë, e me shpejtësi 193 kilometra në orë, është drejtuar për nga Florida, në SHBA. 200.000 shtëpi dhe biznese janë tanimë atje pa energji. Shira të rrëmbyeshëm dhe erëra të forta ka patur përgjatë gjithë natës në zonën e Majamit. Urdhra evakuimi janë dhënë për hapësira që kanë mbi tre milionë banorë. /tesheshi.com/