Qindra refugjatë kanë kaluar me tren në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, pasi janë mbajtur për disa orë në kufirin hungarez ndërsa vala e refugjatëve të luftës duket se nuk ka pyetur për gardhin mbrojtës që Hungaria ka ngritur në kufirin me Serbinë.
Pjesa më e madhe e refugjatëve që kaluan në Austri, menjëherë kanë përfunduar itinerarin që kishin në mendje që kur janë nisur nga brigjet e Afrikës Veriore, dhe kanë marrë trenat për në Gjermani.
Ditën e hënë, autoritetet austriake thanë se do të ndalonin trenat që vinin nga Budapesti dhe do të kthenin pas të gjithë ata që kërkonin azil, por nuk ka të dhëna për një gjë të tillë
Gjermania është vendi i përzgjedhur nga emigrantët. Këtë vit, pritet që gjermanët të marrin 800 000 kërkesa për azil, 4 herë më shumë sesa vitin e kaluar.
Austria, ndërkaq, ka mobilizuar forcat e rendit dhe ka në fuqi kontrolle të vazhdueshme nëpër rrugë që nga gjetja e kamionit me 71 refugjatë të vdekur në të.
Pjesa më e madhe e refugjatëve që kaluan kufirin, ashtu si edhe ata në kamion, kanë shtetësi siriane dhe i janë larguar luftës në vendin e tyre. /tesheshi.com/