Qeverisja lokale e Berlinit ka vendosur një moratorium për qiratë për shkak të rritjes drastike të tyre në metropolin gjerman vitet e fundit, por opozita dhe shoqata e pronarëve kanë kritikuar ashpër masën, duke e quajtur atë një kthim në socializëm.
“Pas bisedimeve të gjata dhe shteruese, ne kemi arritur një marrëveshje”, tha kryebashkiaku i Berlinit, Michael Mueller.
Qeverisja e Berlinit, duke futur një ligj të ngrirjes së qirave, “po futet në një terren politik të panjohur”, tha ai.
Partia Socialdemokrate (SPD), të Gjelbërit dhe e Majta që formojnë koalicionin qeverisës në shtetin federal të Berlinit, pas disa muajsh bisedimesh, ranë dakord për të ngrinë qiratë për rreth 1.5 milion apartamente të ndërtuara para vitit 2014.
Kështu, pronarët nuk do të lejohen më të rrisin qiratë në krahasim me qiramarrësit e mëparshëm. Do të prezantohet gjithashtu dhe një tabelë për të menaxhuar qiratë e reja dhe ekzistuese.
Opozita Demokratike dhe Liberale në Berlin tashmë ka shpallur një padi përpara Gjykatës Kushtetuese kundër këtij ligji.
“Ky është një sulm i paligjshëm ndaj pronës private. Ky koalicion po ndjek një ekonomi të planifikuar si në RDGJ”, tha deputeti i Unionit Kristian Demokratik (CDU) në Senatin e Berlinit, Jan Marko Luczak.
Dhe Aleanca e Pasurive të Patundshme IVD po flet për “një kthim në ekonominë socialiste”.
Qiratë në qytetet e mëdha gjermane janë rritur vitet e fundit, por Berlini ka parë rritjen më ekstreme, ku qiratë janë dyfishuar.
Në të njëjtën kohë, çmimi për metër katror është rritur në mënyrë dramatike, kështu që ata që blejnë banesa si investim, tani kanë frikë se qiratë për banesa të blera nuk do të jenë më të mjaftueshme për të mbuluar koston e kredisë. /tesheshi.com/