Presidenti rus, Vladimir Putin, nuk mungoi të thotë fjalën e tij mbi krizën e refugjatëve në vendet e BE-së. Ai u tha shkoqur gazetarëve në Forumin Ekonomik Lindor në Vladivostok, “Unë mendoj se kriza pritej absolutisht.”
“Rusia ka paralajmëruar pareshtur për problemet e mëdha që do të ndeshë Europa si rezultat i politikave perëndimore në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut, prandaj kriza e refugjatëve në BE nuk vjen si një surprizë,” theksoi njeriu më i fuqishëm i Rusisë.
“Ne në Rusi, e unë personalisht pak vite më parë, e thamë haptas se do të shfaqen probleme të kudogjendshme nëse të ashtuquajturit partnerët tanë perëndimorë vazhdojnë t’i qëndrojnë politikës së tyre të jashtme të gabuar, veçanërisht në rajonet e botës muslimane, të Lindjes së Mesme, të Afrikës së Veriut,” tha mes të tjerash Putin.
Në këndvështrimin e liderit rus, e meta kryesore e politikës së jashtme së Perëndimit është imponimi i standardeve të tyre anekënd botës pa marrë parasysh karakteristikat historike, fetare, kombëtare dhe kulturore të rajoneve të veçanta. /tesheshi.com/