Nga Blendi Gashi
Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, edhe pse njihet si një kryetar rigoroz siç duket kohëve të fundit nuk po i ecën edhe aq fjala.
Pak ditë pas nisjes së fushatës, Mustafa tha se shtabi zgjedhor ka marrë vendim që LDK të mos vendosë postera, se fushata do të jetë racionale me shpenzime më të ulëta dhe do ta respektojnë ambientin, pronat publike dhe private.
Madje, Mustafa paralajmëroi të gjithë bashkëpartiakët që nuk respektojnë vendimin në fjalë.
“Nuk do të kërkoj votë për ta nga qytetarët dhe anëtarësia e LDK-së dhe do të publikoj emrat e atyre që nuk respektojnë heqjen dorë nga posterët, që dëmtojnë ambientin dhe buxhetin e partisë. Do të kërkojmë që dënimet t’i paguajnë ata që thyejnë rregullat”, paralajmëroi Mustafa.
Mirëpo ky “kërcënim” i tij nuk po merret seriozisht pasi në disa qytete disa kandidat për kryetar të komunave nga kjo parti, kanë shpërfillur një vendim të tillë.
I pari që nuk e ka respektuar vendimin është nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, kandidat për kryetar të Podujevës, i cili synon edhe mandatin e katërt. Ai ka vendosur në çdo cep të qytetit postera nga më të ndryshmit madje edhe më të gjatë se herëve të kaluara. Veliu në një objekt shumëkatësh ka vendosur një poster të tij gjigant në mes të qytetit.
Përveç tij, postera kanë vendosur edhe kandidatët Arban Abrashi (Prishtinë) dhe Besim Hoti (Klinë).
Arsyetimi i LDK-së…
Nisur nga thyerja e urdhërit apo vendimit nga të paktën 3 kandidatë, LDK duket se ka një justifikim. Sipas zyrtarëve të kësaj partie, LDK ka hequr dorë nga posterat, por jo nga billborderat.
“Vendimi i Shtabit Zgjedhor të LDK-së, nuk ka të bëjë me vendosjen e billbordave dhe muraleve, sepse ato vendosen nga kompani profesionale dhe garantojnë heqjen e tyre pas përfundimit të fushatës zgjedhore, pa e dëmtuar pamjen e vendbanimeve dhe pa e ndotur ambientin. Praktikat e zgjedhjeve të kaluara kanë treguar se posterët e të gjitha partive politike, janë vendosur nëpër vende joadekuate, në prona publike dhe private dhe kanë degraduar pamjen e lagjeve dhe qyteteve. Me qëllim të sqarimit të opinionit publik, vendosja e billbordave dhe muraleve nuk bie ndesh me vendimin e Shtabit Zgjedhor të LDK-së”, thuhet në sqarimin e kësaj partie.
I pari që vendosi të mos përdor poster për fushatë politike ishte pikërisht kandidati i LDK-së për kryetarë komune në Vushtrri, Xhafer Tahiri.
Gjobat e shqiptuara për LDK-në…
Vendimin e qendrës nuk e kanë respektuar as kandidatët për asamble komunale për çka LDK ka marrë jo pak dënime. Xhavit Ukaj, kandidat për asamblist në Prizren ka vendosur një posterë te kino Lumbardhi i cili më pas u largua nga dega e LDK-së në këtë qytet.
LDK në Ferizaj është gjobitur me 950 euro, pasi më 24 shtator në rrugën kryesore në hyrjen e fshatit Bibaj, monitoruesit e KDI-së kanë hasur në pano të kandidatëve për anëtarë të kuvendit komunal dhe kandidatit për kryetar nga LDK të vendosur mbi rrugë publike.
LDK në Suharekë është gjobitur me 850 euro pas ankesës së Lëvizjes Vetëvendojse se më 23 shtator në rrugën “Endrit Kavaja” ishte vendosur posteri i anëtarit të Kuvendit Komunal në Suharekë, Kushtrim Kuçi, të ngjitur në objektin publik, përkatësisht në një trafostacion të rrymës.
LDK në Ferizaj është gjobitur me 800 euro, pas ankesës së LVV-së se në rrugën “Driton Islami” mbi rrugë publike është vendosur baneri i kandidates për anëtare të Kuvendit Komunal nga radhët e LDK-së.
LDK në Pejë është gjobitur me 1500 euro, pas ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje se në rr. “Ramiz Sadiku” në Pejë ishte vendosur posteri i kandidatit për kryetar dhe kandidatëve për anëtarë të Kuvendit Komunal të Pejës nga radhët e subjektit politik LDK. LDK e Pejës po ashtu është gjobitur me 750 euro të tjera, po ashtu pas ankesës së LVV-së pasi më 22 shtator në rrugën “Fatmir Ukaj”, në murin rrethuest të ndërmarrjes publike te Thertorja, ishte vendosur posteri i kandidatit për kryetar të Komunës dhe kandidatit për anëtar të Kuvendit Komunal të Pejës nga radhët e LDK-së.
LDK në Pejë është gjobitur me 700 euro të tjera, pas ankesës së LVV-së se në rr.”Mbretëresha Teuta” në Pejë në vendin i cili është pronë dhe vend i rezervuar për shpalljen e akteve reale të Komunës së Pejës ishte vendosur posteri i kandidatit për kryetar dhe kandidatëve për asamble të Komunës së Pejës.
PZAP ka gjobitur LDK-në në Ferizaj me 600 euro, pas ankesës së KDI-së, pasi monitoruesi i tyre ka hasur në një poster të kandidates Saranda Musliu nr.47 të ngjitura në hapësira publike në nënkalimin e Hekurudhave në Ferizaj.
Po ashtu për një poster të kandidates Saranda Musliu të vendosur në shtylla publike, LDK është gjobitur me 550 euro, pas ankesës së KDI-së.
LDK është gjobitur me 600 euro të tjera, pas ankesës së KDI-së se më 22 shtator në rr. “Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj, monitoruesi ka hasur në një poster të kandidatëve për këshilltraë komunalë të ngjitur në hyrje të postës së qytetit.
LDK në Ferizaj është gjobitur në një rast tjetër me 500 euro, pas ankesës së KDI-së e cila ka vërejtur se në rrugën “Ramadan Rexhepi” posterët e kandidatëve komunalë nga Lidhja Demokratike janë ngjitur në shtylla elektrike. /tesheshi.com/