Për dy ditë rresht, Rama morri në provim të zgjedhurit lokalë të 2019-ës, kryebashkiakët e tij, duke u kërkuar atyre që të flisnin për bilancet e punës që kur morrën detyrën. Dukej një praktikë tërheqëse, tipike e Ramës në gjetjet e tij të komunikimit publik, por dhe si metodë politike brenda familjes qeverisëse.
Aty, publiku pa më në detaj se ç’soj figurash drejtojnë menaxhimin e bashkive e se si ata shpalosin atë që kanë bërë në 3 vite, një vit para se të vihen sërish në provë vote nëse e meritojnë të drejtojnë apo jo. Kujtojmë se ata vijnë nga një palë zgjedhje të bojkotuara nga opozita, por kjo nuk i kompromenton aspak. Ata, në tre vjet, kanë patur “shansin e jetës” që t’u tregojnë komuniteteve të tyre nëse e meritojnë apo jo të jenë aty, në krye të punëve.
Edhe pse folën me statistika, ku pothuajse të gjithë lexoheshin si arritje, ishin gjithsesi skematikë deri në mërzi. Prej skematizmit të tepërt, askush pothuajse nuk ofroi befasi në prezantim në ato pak minuta të vendosura nga Rama me kronometër në dorë.
Sa për kujtesë, edhe pse vetë Rama mbrohet me shifra, ndodh shpesh që të ofrojë një ligjërim përthyes ndaj formatit zyrtar, duke e bërë më tërheqës apo të kapërdishëm atë që thotë. Te vartësit e tij lokal kjo mungoi absolutisht.
Duke qëndruar te statistikat, gjithsesi mungoi ajo se me sa rrogëmarrës pa ardhur në punë i gjetën bashkitë dhe nëse ka më të tillë në drejtimin e tyre. Kjo ka qenë, e ndoshta vijon të jetë, ndër mbrapshtitë më të rënda që ndodh prej vitesh në qeverisjen lokale.
Më pas vjen pjesa tjetër e munguar, shërimi moral, ai që nuk shprehet me shifra.
Nuk u dëgjua fjala vjen, asnjë kryebashkiak të thotë kështu:
Gjeta një bashki, ku pjesë kryesore e njerëzvë të atyshëm mendonin si të bëjnë lek. U morra fillimisht me ta dhe me këtë mendësi të mbrapshtë. Aplikova disa metoda dhe sot, çdokush në bashki është në garë se kush të performojë më mirë në punë e jo si të bëjë lek, në kuptimin më amoral të fjalës.
Bëra një test publik mbi emra të caktuar në bashki, se ç’perceptim kishte ndaj tyre dhe, kush u vërtetua se gjykohet me të drejtë keq nga publiku, u hoq që aty. Në çdo emërim në bashki, pos testit për aftësitë në detyrë, u bëhet gjithashtu dhe një test publik se ç’mendim ka opinioni mbi ta. Në bazë të kësaj, vendoset nëse duhet t’i besohet ose jo detyra.
Kjo sa i përket shërimit moral të bashkisë.
Sa i përket punës, çdo pjesëtar stafi detyrohet herëpashere të paraqesë ide të reja; kjo në funksion të krijimit të një organike kreative dhe të dashuruar me punën që bëjnë. Në finale, synohet që ata të ndihen tej të qënit rrogëtarë, pra dhe krenarë që punojnë në bashkinë e qytetit. Është në natyrën e njeriut që t’i jepet shansi të shfaqë aftësinë kreative në ide. Është kjo në mënyrë për të rritur moralin e punës.
Në funksion të kësaj, ambientet e bashkisë janë plot me thënie inspiruese nga emra të ndryshëm, të fushave të ndryshme, dje apo sot, nga të cilat diktohet moral dhe aftësi në punë.
Ja kjo mungoi në të gjithë paraqitjet e kryebashkiakëve. Sikur dy minuta t’i hante kjo dhe 4 minuta statistikat, do ishte vërtet diçka mbresëlënëse, diçka me shije vërtet të mirë në publik, se ata që drejtojnë bashkitë qenkan vërtet të denjë për atë detyrë të lartë. /tesheshi.com/