Trazirat e provokuara në Sharlotë nga vrasja e një njeriu me ngjyrë nga policia e kanë detyruar guvernatorin e Karolinës së Veriut të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në atë qytet.
Mbrëmë ka qenë nata e dytë e protestave masive në rrugët e Sharlotës, ndërkohë që një protestues është në gjendje kritike pas një përplasjeje midis civilëve.
Për të shpërndarë protestuesit është përdorur gaz lotsjellës; katër punonjës policie raportohet të jenë plagosur.
Protestat nisën pasi një person me ngjyrë, Keith Lamont Scott, u qëllua të martën për vdekje nga një polic. Ai ishte i treti person me ngjyrë i vrarë brenda një jave nga policia.
Rrethanat e vrasjes së 43-vjeçarit nuk janë ende të qarta plotësisht. Policia deklaron se ai ka patur armë e se i është bërë thirrje ta hidhte poshtë atë, kurse familjarët e tij pretendojnë se ai po lexonte një libër e se po priste të birin të zbriste nga autobusi i shkollës. /tesheshi.com/