Millosh Vuçeviç ka dhënë dorëheqjen si kryeministër i Serbisë. Ndodh kjo pas një vale protestash që sa vijnë e bëhen më masive në Serbi kundër regjimit të Vuçiçit.
“Në fund të muajit prill mora mandatin për të formuar qeverinë dhe sigurisht që kisha një ndjenjë të fortë krenarie. Fillimisht u përpoqa të kuptoj përgjegjësinë që mbart ky pozicion, i vetëdijshëm për të gjitha sfidat në rajon dhe botë.
Secili prej zyrtarëve jep vulën dhe ndikimin e vet personal dhe kuptimin e politikës. Besoj se kemi bërë përparimin më të madh në fushën e ekonomisë”, ka theksuar Vuçeviç, njëherësh duke kontestuar protestat.
Ai beson se ato do të kenë pasoja të thella për vendin dhe se po shkaktojnë më shumë probleme se sa po sjellin dobi.
“Kjo sigurisht ka ardhur nga jashtë dhe ka goditur pjesën më të dobët të çdo shoqërie, që është rinia. Ato janë projektuar për të shkatërruar Serbinë si shtet. E gjithë kjo është projektuar me qëllim të shkatërrimit të Serbisë”, beson Vuçeviç. /tesheshi.com/