Vijon seria e protestave në Athinë, pas asaj që u zhvillua dy ditë më parë me ardhjen e presidentit në ikje të SHBA-ve, Barack Obama. Si në vitet e kaluara, nuk kishte si të ndodhte ndryshe që anarkistët ta përkujtonin me tubime masive 43-vjetorin e protestës së studentëve që u shtyp dhunshëm nga regjimi diktatorial i asaj kohe, pranë Politeknikumit.
Pikërish në këtë vend u zhvilluan protestat edhe ditën e sotme, konkretisht në rrugët “Patision”, “Sturnari” dhe “Bubulinas”. Qytetarët kanë përdorur gurë dhe bomba molotov kundër forcave të shumta të policisë. Për pasojë, janë shkaktuar dëme materiale në disa biznese dhe automjete të parkuara, që ndodheshin aty pranë.
Ndërkohë, forcat e rendit u janë kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës dhe granatave shpërthyese. Si pasojë e përleshjeve, disa persona janë plagosur. Disa prej tyre kanë shfaqur probleme me rrugët e frymëarrjes.
Policia ka mbajtur situatën nën kontroll dhe ka bërë të mundur shoqërimin e disa prej protestuesve.
43 vite më parë studentët u ngritën kundër regjimit të asaj kohe (JUNTA), por protesta përfundoi e përgjakshme për shumicën prej tyre. Ka të dhëna se rreth 24 prej tyre u ekzekutuan me armë zjarri, apo për shkak të dhunës fizike me mjete të forta. Po ashtu, disa prej studentëve përfunduan në qeli dhe u dënuan. /tesheshi.com