Marshime proteste u mbajtën në Shtetet e Bashkuara për të shënuar njëvjetorin e vrasjes nga policia të adoleshentit me ngjyrë, Michael Brown në Ferguson.
Në Nju Jork, me dhjetëra njerëz u mblodhën në Manhattan, për të protestuar kundër brutalitetit të policisë e duke bërë thirrje për ndryshime domethënëse në sistemin e Drejtësisë amerikane.
Vrasja e të riut 18-vjeçar në Ferguson nxiti protesta në rrugë për muaj të tërë dhe solli përleshje mes policisë dhe protestuesve, duke e bërë qytetin e vogël të Misurit një vatër të debatit kombëtar për marrëdhëniet racore dhe dyshimet mbi brutalitetin e policisë.
Edhe në qytete të tjera u mbajtën protesta nën sloganin “Jetët me ngjyrë vlejnë”, slogan që ka qenë i përbashkët për disa raste me radhë të vrasjeve të njerëzve të paarmatosur nga ana e policisë.
Në Ferguson me qindra njerëz u mblodhën në një përkujtimore duke qëndruar katër minuta e gjysmë në heshtje, në shenjë simbolike për orët që trupi i Michael Brown qëndroi në rrugë.
Policia lokale njoftoi për një të plagosur ndërsa policët u qëlluan me armë zjarri në Ferguson, por nuk ka detaje për ngjarjen./tesheshi.com/