Vijojnë zërat e fuqishëm kundër projektligjit që e kufizon volumin e thirrjes së ezanit në xhamitë në Jerusalem dhe në Izrael.
Një zë i tillë kundërshtues është ligjvënësi arab në Knesset, në parlamentin e Izraelit, Ahmed Tibi. Në shprehje të mospëlqimit të tij për projektligjin në fjalë, që i ndalon xhamitë të përdorin altoparlantët për thirrjen e ezanit, ai i ka recituar fjalët e thirrjes për namaz në mes të parlamentit izraelit.
Thënia e ezanit prej tij është pritur jo mirë, por deputeti e ka çuar gjer në fund atë.
Vetë ai ka deklaruar se veprimi qe shprehje e protestës për projektligjin.
“Ky ligj pasqyron fashizmin që rritet brenda komunitetit izraelit,” i ka thënë Ahmed Tibi agjencisë turke të lajmeve Anadolu Agency.
Ligjvënësi në parlamentin izraelit u ka bërë thirrje palestinezëve që të mos binden, duke kërkuar gjithashtu që, “palestinezët dhe muslimanët anekënd botës të punojnë për ta penguar vendimin izraelit për kufizimin e thirrjes për namaz”.
Projektligji ka marrë miratimin në Komitetin Ministerial për Legjislacionin, por ai duhet të kalojë tre raunde votimi në parlamentin izraelit për t’u kthyer në ligj. /tesheshi.com/