Nga Ylli Pata
Opozita PD-LSI, siç e ka bërë të qartë, do të mbajë të hënën një protestë e cila duket se do të nisë një stinë të re konfrontimi antiqeveritar, që sipas të gjitha gjasave do të përfundojë me kërkesa e kushte ndaj mazhorancës. Një lloj çadre e re me një fjalë.
Por thelbi i gjithë kësaj lëvizjeje synon në fund të fundit që të mos lejojë zgjedhjen e Kryeprokurorit të përkohshëm dhe mbajtjen në post, edhe pse i ka skaduar mandati, të Kryeprokurorin në detyrë, Adriatik Llalla.
Nuk dihet si do të jetë suksesi i kësaj lëvizjeje, pasi do të varet nga rrethanat e brendshme, ato të jashtme, apo edhe me zhvillime të tjera; por në historinë politike shqiptare do të marrë emrin si “Lëvizja llalliste”. Kjo lëvizje tashmë e konsoliduar ka pasur kushtet e saj të pjekjes, faktorët e shpërthimit, dhe natyrisht do të ketë kohëzgjatjen dhe pasojat e saj në historinë e Shqipërisë.
E nisur që në vitin 2016, kjo lëvizje lindi nga një pjesë e politikës shqiptare për të mbrojtur kryeprokurorin Adriatik Llalla, i cili u konfrontua me Ambasadën Amerikane në Tiranë, që u hoqi vizat e SHBA-së, vetë Llallës dhe bashkëpunëtorëve të tij kryesorë. Presidenti Ilir Meta, atëherë Kryetar Kuvendi doli publikisht dhe mbrojti Llallën, duke sulmuar Donald Lu-në. Pas Metës në këtë pozicion ka ardhur edhe Sali Berisha, ndërsa opozita e Lulzim Bashës po e bën këtë “lëvizje” si një dekalog politik.
Koha do ta tregojë që sa e drejtë dhe sa dialektike është kjo lëvizje konfrontuese, e cila ka pasur edhe ka disa alternativa, ku forcat opozitare mund ta zgjidhnin situatën në favorin e tyre.
Nëse duan që të mos zgjidhet një njeri i Edi Ramës për Kryeprokuror i përkohshëm, mund të vinin kushte, madje edhe propozime konkrete për të imponuar një proces. Ky debat në fakt është bërë dhe Lulzim Basha e ka thënë qëndrimin e tij se procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit e cilëson “pazar”, ndaj i është mbajtur zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm nga KLP-ja siç është shkruar në Kushtetutën e re. Në këtë pikë, është shumë pozitive qasja e PD-së pasi është afruar në një pozicion që e ka kundërshtuar, madje të gjithë ligjin e Prokurorisë së bashku me të vettingut që e çoi në Kushtetuese, pasi nuk i votoi në Kuvend. Por që të ishte më e besueshme, duhet të jepte një qëndrim më të moderuar se mbajtja në detyrë e Adriatik Llallës jashtë mandatit, qoftë duke zgjedhur një prokuror brenda stafit të tij, nga ata që nuk iu është hequr viza e SHBA-së, që të ishte një figurë me integritet dhe i pranueshëm nga palët. Në fund të fundit, Kryeprokurorin e zgjidh Kuvendi dhe nuk ka mënyrë tjetër për ta bërë këtë.
Çdo lëvizje tjetër do të ishte revolucionare, anarkiste, apo luajaliste, varet si do ta cilësojë historia. Siç ishte epoka qemaliste, esadiste, haxhiqamiliste, zogiste, komuniste, etj. etj., deri sa do të vijmë në lëvizjen më të re, ajo “llalliste”. Historianët do të kenë paksa vështirësi të gjejnë përveç kushtet e “rebelimit llallist”, edhe arsyet e domosdoshme të shpërthimit të një revolucioni. Pasi si gjithmonë, revolucioni plas atëherë kur nuk ka alternativë për të zgjidhur konfliktet sociale që kanë shpërthyer në shoqëri.
Ndërsa Bernd Fisher, historian i njohur amerikan që është marrë që në adoleshencën e hershme me historinë e Shqipërisë, do ta ketë të pamundur për t’u shpjeguar studentëve të tij se pse “mbajtja e Llallës edhe pas mbarimit të mandatit ishte një zgjidhje pa asnjë alternativë tjetër, gjë që poqi kushtet e një revolucioni, i cili përpos rrëzimit të qeverisë, mbajtjen e zgjedhjeve të reja, fitoren e PD-së dhe LSI-së- tashmë së bashku në qeverisje, mbajtën në detyrë Adriatik Lallën”.
“Profesor, profesor”, do ta pyeste student historianin Fisher: “deri kur qëndroi në detyrë njeriu që provokoi revolucionin në Shqipëri?”
“Deri sa u kapën ‘peshqit e mëdhenj”?…”, do të përgjigjej profesor Fisheri, duke cituar Donald Lu-në, i cili pas fitores së “lëvizjes llalliste” do të internohet së bashku me George Sorosin në gulagun që Trump hapi pasi lexoi Frrok Çupin….
Enver Hoxha shkroi një libër në kulmin e diktaturës ku nxiste kujt t’ja priste mendja që të bënin revolucion e të përmbysnin qeveritë e ardhura me votë. “Në botë janë pjekur kushtet për revolucion, pasi përplasja sociale është e madhe dhe antagonizmi ka arritur kulmin”, shkruante Enveri, me gjasë me dorën e Sofokli Lazrit, më të shkolluarit në kupolën komuniste.
Edhe kjo lëvizje që nis të hënën, ngjan me një lëvizje kundër imperializmit amerikan, pasi konflikti me Donald Lu-në kanë arritur pikun dhe diku do shpërthejë. /tesheshi.com/