Ndërsa gjykata e Shkupit ende po dëgjon palët në seancën e shqyrtimit të masës së sigurisë për 37 të arrestuar lidhur me dhunën e 27 prillit, pritet që prokuroria do të dërgojë kërkesa për heqjen e imunitetin e disa deputetëve të tjerë të VRMO-së.
Siç bën të ditur televizioni Sitel, pritet në mwngjesin e të mërkurës të dërgohet kërkesa zyrtare në Kuvend.
Përveç arrestimit të njeriut më të besuar të Nikolla Gruevskit në Ministrinë e Brendshme, ish-kreut të Byrosë së Sigurisë, Mitko Çavkov dhe dy deputetëve, Lube Tarçullovski e Sasho Vasilievski, pritet të kërkohet heqja e imunitetit edhe për katwr parlamentarë, thekson Sitel.
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Telat Xhaferi, tha se “procedurat janë të përshkruara qartë. Në momentin kur nga organi përkatës kompetent deri te Parlamenti, gjegjësisht deri tek kryetari i Parlamentit, parashtrohet kërkesë për zbatim të masës së sigurisë paraburgim ose për heqje lirie të deputetit. Kryetari i Parlamentit ka obligim kohor që atë kërkesë ta adresojë në Komisionin për Çështje të Mandateve dhe Imuniteteve dhe i njëjti brenda 48 orëve duhet të korrespondojë me raport deri tek kryetari i Parlamentit, i cili atë ia adreson Parlamentit, d.m.th. procedurat janë paraparë decid në rregulloren”.
Kjo situatë ka sjellë reagime apokaliptike nga ana e njerëzve më kryesore apo “ikonave” mediatike të VRMO-së.
Aktori i njohur maqedonas, Toni Mihajllovski, i cili është edhe një nga njerëzit më besnikë të Gruevskit, ka shkruar pas arrestimeve se “tashmë Maqedoni nuk do të ketë. Kjo është qeveria e fundit e këtij shteti 27-vjeçar, pasi do të krijohet shteti i tretë shqiptar në Ballkan dhe Bullgaria do të marrë pjesën që i ngelet. Maqedonasit e vërtetë i vrasin në pusi ose i përndjekin”. /tesheshi.com/