Nga Ylli Pata
Ambasadori më i ri i Britanisë së Madhe në Tiranë, Duncan Norman, edhe pse vjen nga Afganistani ku ka shërbyer si kreu i zyrës së qeverisë së Londrës, ai e ka bërë sefte me Shqipërinë.
Siç theksohet në CV-në tij zyrtare, ambasadori i ri britanik në Tiranë ka hyrë në shërbimin e jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë në vitin 1990, por deri në vitin 1994 ai ka punuar në një zyrë të mërzitshme të financës, ku hartonte bordero dhe preventiva për dieta dhe bileta hoteli.
Punën reale si diplomat e ka nisur në vitin 1994 kur u emërua analist dhe shef i zyrës për Shqipërinë në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.
Nga dora e tij kanë dalë raportet për qeverinë e parë të PD-së dhe presidentit Sali Berisha.
Pas zyrës për Shqipërinë, Norman emërohet si zv/konsull në Riad të Arabisë Saudite, ku dhe nis misionin diplomatik më të rëndësishëm, atë të përfaqësuesit zyrtar.
Nga Riadi emërohet në Jerevan të Armenisë, duke ngjitur shkallët e karrierës me shpejtësi, derisa në vitin 2000 emërohet shef i zyrës së Ministrisë së Jashtme Britanike për Gjirin Arabik.
Pas zyrës së Lindjes së Mesme, Duncan Norman nis punën më të lakmueshme për çdo diplomat britanil dhe me më të lartën në gradë: atë të përfaqësuesit të Mbretëreshës në ish-kolonitë britanike.
Në fillim në Tortola të Ishujve Virxhin, aty ku dhe ndodhet zona më e madhe “of shore” e botës, ku depozitohen dhe “bëjnë banjë” paratë e gjithë botës financiare globale.
Pas Tortolës, Norman emërohet si zv/komisioner i Lartë në Dhaka të Bangladeshit.
Puna në të gjithë këto vende e ka shpërblyer pastaj me një superpost në Ministrinë e Jashtme të Britanisë së Madhe: Shef i zyrës për Burimet Njerëzore, pra nga ku përzgjidhen diplomatët e ardhshëm dhe vëzhgohen ato aktualë.
Pas tre vjetëve në këtë zyrë, Norman Dunkan, emërohet në kabinetin e kryeministrit si përgjegjës për G8-ën.
Por këtu puna nuk zgjati shumë dhe u gradua si shef i zyrës në Afganistan. Dhe pas tre vjetësh transferohet në Tiranë, gjë që tregon një rëndësi të Londrës për Shqipërinë, ngaqë sjell një nga “kuajt e racës” së diplomacisë së saj, një nga më të mirët.
Dhe në fakt kjo ka qenë edhe tradita e deritanishme.
Të gjithë ambasadorët britanikë, edhe pse kanë qenë të pazëshëm, ata kanë qenë diplomatë me shumë peshë si për Londrën por edhe për komunitetin ndërkombëtar në tërësi.
Gjithsesi duhet thënë se më e famshmja dhe më e njohura në publik në Tiranë u bë Fiona McIlwham, ambasadorja simpatike e Madhërisë së Saj, e cila i dha një marrëdhënie më direkte imazhit strikt dhe të ftohtë të sjelljes së diplomacisë britanike, gjë që ka krijuar edhe një lloj klisheje edhe për marrëdhëniet konsullore.
Ambasadorja Mcllëham ishte e lidhur me një gazetar të njohur të Financial Times, i cili në atë kohë bëri shumë artikuj therrës për qeverinë “Berisha”.
Dhe siç Doktori e ka zakon dhe nuk ta përton, iu vërvit ambasadores britanike duke e etikuar me çfarëmos… /tesheshi.com/