Profesorët Florim Isufi dhe Shpejtim Bulliqi kanë reaguar ndaj artikullit “Kundërshtuesit e demarkacionit, Isufi dhe Bulliqi, demantojnë vetveten” të publikuar në disa portale.
Në reagimin thuhet se çështjes së demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi i janë qasur në aspektin shkencor, jo në aspektin politik dhe propagandistik, ndaj shtojnw se qasja e tyre shkencore duhet të shikohet si tërësi, e jo në kontekste të veçanta.
Ja reagimi i plotë i tyre:
- Ne çështjes së demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi i jemi qasur në aspektin shkencor, jo në aspektin politik dhe propagandistik, prandaj qasja jonë shkencore duhet të shikohet si tërësi, e jo në kontekste të veçanta.
- Me qasjen tonë shkencore ne nuk jemi pozicionuar në asnjërën anë të politikës e as individëve të caktuar dhe nuk planifikojmë as në të ardhmen të bëjmë diçka të tillë, por kemi kryer një obligim kombëtar me një mori faktesh hartografike që mbetet të verifikohen nga cilido grup ekspertësh në të ardhmen.
- Të gjithë ekspertët e hartografisë, gjeografisë, gjeodezisë dhe gjeoinformatikës e dinë se produkti final i punës së tyre shkencore është harta, e cila duhet të përdoret ajo që përdoret nga institucionet shtetërore, duke pas parasysh edhe punimet shkencore. Kjo nuk do me thënë që kufijtë e shtetit, të cilët ende nuk janë ratifikuar nga institucioni ligjvënës (parlamenti), në fakt mund të jenë edhe kufijtë e ardhshëm të shtetit të Kosovës.
- Ne edhe tani në punime shkencore i referohemi kufijve aktual që i përdorin institucionet e Kosovës sepse e tërë baza e shënimeve është e ndërtuar mbi atë bazë grafike dhe do ti përdorim deri sa të bëhet ratifikimi me Malin e Zi, kur do të përdorim kufijtë e rinj edhe nëse janë në dëm të territorit të Kosovë (nëse aprovohen si kufij zyrtarë).
- Që ti shkatërrojmë të gjitha dilemat shkencore dhe të nxjerrim një përfundim të saktë dhe të plotë për demarkacionin kufitar Kosovë – Mali i Zi, ftojmë të gjithë ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë të hartografisë, gjeografisë, gjeodezisë dhe gjeoinformatikës, që kur të duan, ku të duan dhe në formën të cilën ata duan, të ulemi në tryezë (tavolinë) dhe ti krahasojmë të gjitha faktet shkencore. Ne jemi në pritje të kësaj prej një periudhe të gjatë, por ende asnjë ekspert nuk ka shprehur gatishmëri për takim. Te ne apo te ata.
- Me keqardhje kemi konstatuar se edhe pas gjithë këtyre dilemave, sot në Kosovë ka vetëm disa ekspertë në kuptimin e plotë të fjalës (ekspertët e Komisionit Shtetëror dhe disa ekspertë tjerë të pavarur) që mundohen të shtjellojnë problemin e demarkacionit në profesionin e ngushtë. Kjo lë hapësirë të dyshimit profesional për vijën e vërtetë kufitare.
- Nëse ka gatishmëri politike, profesionale dhe mediatike të humbjes së territorit pa analizën e materialit tjetër hartografik, ne nuk implikohemi në asnjë mënyrë, ndërsa nëse duan vërtetim faktesh, ne jemi të hapur.
- Apelojmë te të gjithë, që kur shkruajnë për çështjen e demarkacionit të identifikohen me emër dhe mbiemër, në mënyrë që të kontribuohet në zgjidhjen e plotë të problemit”./tesheshi.com/