Hasan Jashari është profesor i njohur i katedrave universitare në Maqedoni. Aktualisht ligjëron në Universitetin e Europës Juglindore, në Tetovë. Një kohë ka qenë dhe me pozitë drejtuese në Ministrinë e Arsimit.
Në një intervistë të shkurtër, ai jep gjykimin e tij për krizën politike në përgjithësi, e veçanërisht për atë në arsim, ngase e sheh krizën si mjaft komplekse.
Diku – diku, edhe e ashpërson gjuhën, e kjo më së miri tregon se si njerëzve të thjeshtë, po ashtu dhe elitave intelektuale, – siç thuhet – u ka mbërrit thika në asht me qeverisjen aktuale….
Thuhet se një arsim cilësor jep zhvillim edhe të mbarshëm ekonomik. Ku dështuam dhe pse jemi kaq të varfër?
Po, arsimi është bazë e progresit të shoqërisë njerëzore. “Arsimi e shpëtoi njerëzimin nga shkatërrimi”, thotë Hanna Arendt. Por arsimi duhet të bazohet vazhdimisht në transferin e dijes, në cilësi dhe novitete. Kjo arrihet duke zbatuar praktikat më të mira. Shkollën e bëjne të mirë arsimtarët më të mirë.
Arsimi tek ne? Si mund të ketë arsim cilësor kur të hollat e shkollave shkojnë në barok! Jemi të varfër sepse kemi një kastë primitive politikanësh që mbajnë nga 10 truproje pas.
Si t`i inspirojmë gjeneratat e ardhshme për një arsim cilësor, kur nuk ka investime dhe ndihmë nga qeveria në këtë drejtim?
Inspirimin e të rinjve e bëjnë të vjetrit. Por fatkeqësisht shumë punë të këqija po ua lëmë atyre: shqiptarizëm të rrejshëm, gjuhë shqipe e cila vetëm përdoret për të folur e shkruhet vetëm atje ku duhet ta përkthejmë, pasiqë e kemi shkruar njëherë maqedonisht dhe libra shkollorë fyese me një kualitetit të ulët.
Qeveria dhe investimet e saj janë si bunkerat e Enver Hoxhës. Paraja derdhet te ushtarët e komitetet e VMRO-së, para që duhet të investoheshin në komunat me shumicë shqiptare.
Më konkretisht ç`duhej bërë?
Qeveria duhet të plotësonte interesat e të gjithëve njësoj pa dallim kombësie, regjioni apo përkatësie partiake. Por aktualisht, por bëhet politikë vetëm si të fitohen zgjedhjet nga VMRO dhe BDI (kjo e fundit një turp kombëtar për shqiptarët). Qeveria duhet t`u japë përkrahje si materiale ashtu dhe morale nxënësve, studentëve, profesorëve, universiteteve etj.
Si i vlerësoni reformat e fundit të propozuara nga qeveria dhe si e vlerësoni refuzimin e studentëve që t`u nënshtrohen atyre reformave?
Fatekeqësisht janë reforma të bëra shpejt e shpejt, meqenëse viteve e fundit janë bërë edhe reforma të mira në arsim. U bënë gabime në hapa, nuk u menaxhua mirë situate, sepse kishte edhe propozime mjaft të mira të qeverisë në ligjet e fundit.
Cili do të duhej të jetë roli i intelektualëve në krizën aktuale që kalon vendi?
Ka inteletualë të ndryshëm. Jean P. Sartre ata i quan “teknikë të dijes”. Kurse Max Weber i quan burokratë dhe sociologjia i përcakton ata si shtresë e mesme e shoqërisë. Tek ne intelektualët punojnë në shumicën e rasteve për partitë politike. Ata janë analistë partiakë që në ditën e zgjedhjeve rrijnë në Alsat nga 6-8 orë në studio dhe lavdërojnë fitoren e BDI-së. Por ata njëkohësht janë dhe nëpër ministri si anëtarë komisionesh dhe paguhen mirë në punën e analistit partiak.
Si e shihni daljen nga kjo krizë që na ka kapluar?
Punë nuk do të shkojnë lehtë. Kriza është edhe morale, edhe ekonomike, edhe politike, edhe kulturore. Është një krizë që ka mbërthyer keq në këto 14 vite pas 2001-it dhe që na kanë çuar mbrapa, në degjenerim. Duhet shumë punë që të rimëkëmbemi.
Bisedoi: Memedali Jusufi – /tesheshi.com/