Nga Bashkim Kastrati
Auditori i Përgjithshëm është institucion kushtetues i pavarur dhe i raporton Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kuvendi i Kosovës me propozimin e Presidentit, emëron një Auditor të Përgjithshëm të Kosovës, mandati dhe detyrat e të cilit përcaktohen me Kushtetutë dhe me Ligjin për Auditorin e Përgjithshëm.
Zyra e Auditorit të Përgjithshëm kryen auditime tek institucionet publike të Kosovës, duke filluar nga presidenca, kryeministria, ministritë, komunat dhe ndërmarrjet publike. Të gjeturat e auditit në të shumtën e rasteve janë të pakontestueshme dhe pranohen edhe nga vetë udhëheqësit e institucioneve të lartcekura.
Ky institucion jep edhe rekomandime se si të veprohet në raste të parregullsive dhe shkeljeve të ndryshme.
Ka pasur raste kur në bazë të të gjeturave të auditit prokuroria e shtetit ka ngritur aktakuza ndaj zyrtarëve të caktuar për abuzim me detyrën zyrtare. Rasti i fundit është konfirmuar këtë javë, pasi që është ngritur aktakuzë ndaj kryetarit të Komunës së Klinës, Sokol Bashota dhe pesë zyrtarëve të tjerë.
Ata u akuzuan për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe pikërisht këto dyshime për shkelje i ka publikuar Zyra e Auditorit të përgjithshëm në raportin vjetor për këtë komunë për vitin 2014.
Ja si e definon fjalën “Auditor” fjalori i gjuhës shqipe
Por është paksa e çuditshme përemri zyrtar i këtij institucioni të rëndësishëm që evidenton qindra shkelje në institucione publike dhe shtetërore. Për këtë institucion përdorët fjala “Auditor” që në gjuhën shqipe nuk e ka kuptimin e një institucioni që kryen kontrolle administrative dhe financiare.
Nëse e shikojmë fjalorin e gjuhës shqipe fjala auditor do të thotë: Sallë e posaçme për të mbajtur leksione, referate etj., zakonisht në ndërtesën e një shkolle të lartë. Pra kjo fjalë ka një domethënie tjetër nga ajo që tashmë është bërë përditshmëri. Ndërsa fjala më e përshtatshme për këtë institucion do të ishte “Auditi”.
Në lidhje me këtë, tesheshi.com ka kontaktuar profesorin Rrahman Paçarizi, i cili ligjëron në departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Ai ka thënë se kjo fjalë tashme është duke u praktikuar në përditshmëri dhe sipas tij mund të përdoret edhe si e tillë.
“Është fjalë që ka hy në përdorim dhe po funksionon. Fjalorët nuk rishkruhen përditë, po s’ka asnjë problem për vete fjalën dhe përdorimin e saj”, thotë Paçarizi.
Në lidhje me këtë çështje, tesheshi.com ka kërkuar edhe një koment nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës dhe duke i treguar për kuptimin e fjalës “Auditor” në gjuhën shqipe. Por Qëndresa Mulaj, zyrtare për informim në këtë institucion ka thënë shkurt për tesheshi.com se “Kushtetuta vendos termin Auditor”. /tesheshi.com/