Tirana ashtu si edhe pjesa më e madhe e vendit tonë, sipas parashikimeve metereologjike, gjatë ditës së nesërme pritet të përfshihet nga mot i keq dhe me reshje të dendura.
Nisur pikërisht nga këto parashikime, Bashkia e Tiranës ka nisur të marrë masat për të qenë në gatishmëri për të përballuar çdo situatë që mund të sjellë përmbytje, rrëshqitje të dherave dhe bllokime rrugësh në gjithë territorin e saj.
“Bashkia e Tiranës i bën thirrje të gjithë qytetarëve që, kryesisht ditën e nesërme, paradite deri pasdreke, të evitojnë qarkullimin me automjetet e tyre private, si dhe të përpiqen që të përdorin transportin publik për të udhëtuar nga një destinacion në tjetrin”, – tha Admir Abrija, Drejtori për Zhvillimin e Marrëdhënieve me Komunitetin dhe Njësitë Administrative.
Gjithashtu një thirrje ai ka përcjellë edhe për ata banorë të kryeqytetit që jetojnë në zonat rurale, të cilëve u ka kërkuar të evitojnë punët afër lumenjve. /tesheshi.com/