Medalistja e argjendtë Distria Krasniqi dhe ajo e bronztë Laura Fazliu, së bashku edhe me sportistët e tjerë që përfaqësuan Kosovën në Lojërat Olimpike në Paris, Akil Gjakova, Loriana Kuka, Hana Beiqi dhe Donjeta Sadiku janë mirëpritur nga qindra qytetarë në sheshin “George Bush” në Prishtinë.
Ishte aty dhe kryeministri Albin Kurti, i cili tha: “Këto rezultate nuk janë të rastësishme, por me punë krijuam kampionë olimpikë e do te vijojmë të krijojmë kampionë në të ardhmen”.
Ndërsa trajneri Driton Kuka, i cili i solli Kosovës pesë medalje në vetëm tri Lojëra Olimpike, u shpreh se e veçanta e sportistëve të xhudos është vetëm puna.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë dhe medalja e 6, 7, 8 e të tjera do të vijnë sepse kemi të rinj qe duan te bëjnë krenarë Kosovën”, tha Kuka.