Aksioni për prishjen e 150 ndërtimeve në zonën e Shkozës në Tiranë ka shkaktuar një tjetër reagim nga Partia Demokratike.
Lulzim Basha, kryetar i PD-së, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për një sjellje që prek kufinjtë e një krimi çnjerëzor.
Basha tha se ky krim është konsumuar përmes sjelljes së qeverisë e pushtetit lokal ndaj qytetarëve të Shkozës, aty ku 153 familje janë larguar nga shtëpitë për llogari të projektit për zgjerimin e lumit të Lanës.
Përmes një postimi në rrjetin social, Lulzim Basha shkruan se kryeministri u premtoi familjeve në Shkozë legalizim e më pas shpronësim, por e kundërta ndodhi sot.
“Krim dhe barbari në Shkozë! 153 familje nxirren me forcë nga shtëpitë e tyre në mes të katër rrugëve. Edi Rama u premtoi legalizim dhe shpronesim para zgjedhjeve. Tani i godet si pushtues!
Duke dënuar me ashpërsi këtë krim çnjerëzor, ju bej thirrje forcave të rendit të ndalin menjëherë keqtrajtimin e bashkeqytetarëve të tyre që po mbrojne strehën familjare. Të ndalë prishja e shtëpive pa siguruar asnjë perspektive strehimi për 153 familje. Të shqyrtohet rikthimi te projekti fillestar i rehabilitimit të Lanës, i cili parashikonte prishje minimale përkunder shpronësimit me vlerë tregu. Ndal barbarisë dhe verbërisë ndaj fateve të njerëzve!”, shprehet Basha.
Gjithashtu, ish-kryeministri Sali Berisha ka kërkuar ndaljen e atij që e quan “terrori shtetëror në Shkozë”. Berisha shkruan në rrjetet sociale se qindar policë dhe bandit kanë rrethuar banorët e Shkozës që përpiqen të mbrojnë shtëpitë e tyre nga terrori dhe arbitrariteti. /tesheshi.com/