Një shqiptar, shpërndarës droge do të ekstradohet nga Anglia në Shqipëri, pasi u kap me drogë në rrugët e Brighton dhe Hove.
Ai quhet Fatjon Gjini, është 28 vjeç, dhe mediat shkruajnë se kishte hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar, duke përdorur një ID të rreme.
I riu duket se ishte joshur nga pagesat e majme dhe pranoi të bëhej pjesë e një rrjeti të madh droge në Brighton, të cilin më pas e drejtoi vetë.
Gjini u dënua me 16 muaj burg nga një gjykatë britanike të mërkurën dhe tani do të niset për në vendlindje.
Shqiptari u kap nga policia me 25 qese kokainë, në makinën e tij Volkswagen Golf në York Avenue, Hove, më 14 Gusht.
Ata gjetën një çorape të zezë në sediljen e shoferit të mbushur me 25 qese me drogë me peshë 16.9 gramë.
Gjithashtu policia sekuestroi një celular dhe 110 paundë.
Kur u pyet nga policët, Gjini tha se ai kishte filluar të shiste drogë sepse dikush i kishte premtuar 3000 paundë në javë, por sapo e kishte kuptuar që nuk do t’i merrte paratë ishte përballur me personin në fjalë.
Ky i fundit i kishte thënë se tashmë Gjini i detyrohej atij 3000 paund per hotelet e paguara dhe makinat. Më pas, sipas Gjinit, ai ishte i detyruar të merrej me këtë punë sepse frikësohej për jetën.
Avokati i tij mbrojtës ka bërë me dije se “ai jetonte në Greqi për 10 vjet, por për shkak të rënies ekonomike erdhi në Britani të Madhe.” /tesheshi.com/