Azerbajxhani prej kohësh ka një pozitë të veçantë si një alternativë kundrejt Rusisë për furnizimin e tregut europian me naftë dhe gaz, por grupet e të drejtave të njeriut dhe një sërë organizmash europiane nuk kanë ngurruar ta kritikojnë Ilham Alijevin, presidentin azer, për mbyllje të gojës të disidentëve dhe për burgosje të kundërshtarëve. Në një sërë rezolutash është kritikuar dhe mënyra e trajtimit të konfliktit me Armeninë mbi rajonin e Nagorni-Karabakut.
Alijevi ka gjetur rastin në një takim qeveritar t’u përgjigjet flakë për flakë kritikave, “Këto rezoluta janë thjesht copa letre për ne. Prandaj asnjë nuk do t’i zbatojë ato. Le ta dinë këtë azerbajxhanasit dhe ata që i hartojnë këto rezoluta të neveritshme. Asnjë nuk mund të diktojë mbi Azerbajxhanin.”
Ajo që e kishte zemëruar më së tepërmi Alijevin ishte një rezolutë e Bundestagut gjerman, që e akuzonte Azerbajxhanin, një vend përgjithësisht musliman, për kufizim të lirisë fetare dhe për diskriminim të qytetarëve jomuslimanë.
Rezoluta theksonte gjithashtu se gjendja e të drejtave të njeriut në Azerbajxhan ishte përkeqësuar që nga zgjedhjet presidenciale të 2013-ës, duke e nxitur qeverinë gjermane të ushtronte më tepër presion për lirimin e shpejtë dhe pa kushte të të gjithë të burgosurve politikë.
Presidenti azer nuk ka treguar asnjë përmbajtje diplomatike në përgjigjen ndaj kësaj rezolute, “A është Bundestagu gjerman padron i botës, sundimtar i botës, a duhet çdokush t’u bindet atyre? Ne nuk duam asgjë prej tyre, ndërsa ata, në të kundërt, kanë nevojë për gazin tonë, për kontratat tona, për naftën tonë, e për aktivitetin tonë në këtë rajon.”
Ilham Alijevi citoi dhe një rezolutë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, të cilën e cilësoi “antiazere”, duke marrë shkas nga teksti përfundimtar i saj, që thoshte, “asambleja është në dijeni të konfliktit për Nagorni-Karabakun”, në vend të fjalëve të shkruara më herët, “asambleja është në dijeni të pushtimit të territoreve azerbajxhanase.”/tesheshi.com/