Marrëveshja eventuale për koalicionin e ardhshëm qeverisës ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, pritet të përfshijë edhe çështjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës, i cili sipas mandatit kushtetues duhet të zgjidhet në pranverën e vitit 2021.
Lidhja Demokratike e Kosovës preferon që të gjitha çështjet, nisur nga ndarja e ministrive e deri te posti i presidentit të përfshihen në marrëveshjen e ardhshme ndërmjet liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa.
Insistimi i LDK-së që të diskutohet edhe për presidentin e ardhshëm që do të vijë në krye të shtetit në vitin 2021, ndërlidhet me faktin se nëse presidenti nuk zgjidhet, vendi shkon në zgjedhje, andaj LDK-ja nuk preferon një marrëveshje koalicioni që do të zgjaste një vit e gjysmë.
Kurse Vetëvendosje, nuk e preferon shumë debatin për presidentin në këtë fazë, por i bën thirrje LDK-së që të mos presë më certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve për t’u marrë vesh rreth ndarjes së ministrive.
Përderisa pozita e kryeministrit nuk i është kontestuar liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, krahas postit të presidentit, një pozitë tjetër që shihet si pikë më e vështirë për negociata është ajo e ministrit të Jashtëm të Kosovës.
Njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, thonë se pozita e presidentit dhe ministrit të Jashtëm nuk do të duhej të komplikonte bisedimet që si qëllim kanë arritjen e një marrëveshjeje.
Politologu Ramush Tahiri thotë për Radion Evropa e Lirë, se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës duhet të arrijnë marrëveshje për qeverisje duke i harmonizuar programet partiake më shumë se sa të orientohen në atë se kush cilën ministri e drejton.
“Unë nuk konsideroj se vendet vetjake do të jenë ndonjë pengesë, sepse secili e ka një synim të caktuar dhe arrin diçka me atë synim edhe në këtë bazë mund të harmonizohen qëndrimet. Presidenti ka mandat edhe një vit e gjysmë dhe unë nuk mendoj që kjo qeveri vetëm pse i ka numrat ose pse synon t’i ketë numrat, do të bëjë ndonjë ‘puç institucional’ dhe do ta largojë presidentin duke fabrikuar arsyet. Ndërsa, sa i takon ministrit të Jashtëm, varet se si ndahen funksionet e tjera. Por, ministri i jashtëm për dallim deri tash duhet të jetë një personalitet me kredibiltet e me përvojë”, vlerëson Tahiri.
Synimi i Vetëvendosjes dhe LDK-së është që të krijojnë një qeveri me 12 apo maksimumi 15 ministri.
Mbetet të shihet nëse partia që e merr pozitën e kryeministrit, Lëvizja Vetëvendosje, do të marrë edhe pozitën e kryetarit të Kuvendit apo këtë pozitë do t’ia lirojë LDK-së.
Për këto tema, bisedimet thuhet do të zhvendosen në nivelin e liderëve të dy partive, kurse tash për tash, sipas Albulena Haxhiut nga Lëvizja Vetëvendosje, çështja e postit të presidentit nuk është kërkuar nga asnjëra palë për diskutim. Ajo thotë, po ashtu, se deri tash nuk ka pasur ndonjë pengesë për asgjë kur është fjala për arritjen e marrëveshjes.
“Nuk jemi lëshuar në pozicione siç është ai për presidentin apo në veçanti për ministrin e Punëve të Jashtme. Deri tani nuk ka kushtëzime, por çështja e presidentit nuk ka qenë as kërkesë formale zyrtare e LDK-së. Nuk po merremi me deklarata publike të zyrtarëve të LDK-së. Deri tani në asnjë takim nuk e kanë përmendur çështjen e presidenti. Megjithatë, është çështje që u takon kryetarëve të partive. Nëse do të ekzistonte kjo kërkesë e LDK-së për ta trajtuar edhe çështjen e presidenti, është përgjegjësi e kryetarëve që ta definojnë këtë”, thekson Haxhiu.
Në anën tjetër, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, konsideron se të gjitha çështjet që garantojnë një koalicion qeverisës në mandat plotë duhet të definohen në fillim në mënyrë që, siç thotë ai, më vonë të mos ketë probleme. Në këtë aspekt, Veliu konsideron se duhet të diskutohet edhe për çështjen e presidentit.
“Po ashtu, edhe çështja e presidentit duhet të diskutohet, sepse viti 2021 është viti kur mandati i presidentit përfundon. Dhe, nëse nuk arrijmë ne të bëjmë një marrëveshje, ta gjejmë një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit, atëherë vendi shkon në zgjedhje dhe nuk kemi llogari ne për një vit e gjysmë të eksperimentojmë me një subjekt politik edhe pastaj serish të nisemi nga fillimi”, shprehet Veliu.
LDK-ja aktualisht nuk po preferon nisjen e bisedimeve në nivelin e liderëve të partive, pasi që është në favor të pritjes së certifikimit të rezultatit zgjedhor.
Kurse, Albulena Haxhiu thotë se Vetëvendosje është e interesuar që të diskutohet edhe për postet ministrore, pa pasur nevojë që të pritet certifikimi.
“Ne jemi shumë të interesuar që këto takime të ndodhin sa më parë. Kemi dëgjuar zotin Isa Mustafa në një deklaratë që ka thanë se ‘pa u certifikuar rezultatet, me zotin Kurti mund të pimë vetëm kafe’, por gjatë kësaj kohe sa pritet certifikimi duhet të ketë takime intensive në mënyrë që kryetarët e partive politike të flasin për çështje, të cilat nuk kanë qenë kompetencë e grupeve punuese e që kanë të bëjnë me ndarjen e pozicioneve të qeverisë”, shton Haxhiu.
Takimet ndërmjet grupeve punuese, kanë përfunduar kurse faza tjetër e bisedimeve, parashihet të zhvillohet më vonë kur edhe pritet ndarja e ministrive dhe pozitave kryesore gjatë mandatit të ardhshëm qeverisës. Pas zgjedhjeve të 6 tetorit Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte shpallur rezultate përfundimtare, por partitë politika kanë pasur ankesat e tyre. Votat nga Serbia ishin kontestuar nga koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë.
Sipas këtij koalicioni, zarfet me vota nga Serbia “nuk dihet se nga e kanë identitetin e tyre dhe origjinën”. Ankesa e tyre u trajtua nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili vendosi të hënën, më 11 nëntor, që të anulohen këto vota. Por, një ankesë tjetër u deponua në Gjykatën Supreme, nga tre deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, kundër vendimit të PZAP-së.
Megjithatë, sipas një deklarate të postuar në rrjetin social Facebook, Limaj, ka thënë se “Gjykata Supreme dhe PZAP-ja me këto vendime treguan se shteti ligjor këtu funksionon dhe institucionet e këtij shteti ligjor janë gardian në mbrojtje të ligjit dhe demokracisë në Kosovë”.
Ndërkohë, të mërkurën pasdite në Kosovë ka nisur rinumërimi i fletëvotimeve të gati 1,500 vendvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit. Organizatat që monitorojnë procesin zgjedhor thonë se ky proces mund të zgjasë deri në tri javë. Rinumërimin e votave e ka urdhëruar Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), bazuar në ankesat e partive politike ndaj rezultatit përfundimtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. /REL/tesheshi.com/