François Fillon, i cili mposhti ish-shefin e tij, Nicolas Sarkozy për t’u përballur me Alain Juppé në raundin e dytë të primareve republikane në Francë për zgjedhjet presidenciale, është një konservator social, të cilit i pëlqen çaji, ngarja e makinave klasike dhe reduktimi i shpenzimeve publike.
Sllogani i fushatës së deputetit 62-vjeçarit për të prerë gjysmë milioni vende pune në sektorin publik përgjatë pesë vjetëve është frymëzuar nga heroina e tij, Margaret Thatcher.
Fushata e tij ekstreme, gjatë së cilës ai përqafoi një linjë vërtet të ashpër, për të mos thënë të egër për çështje të tilla si identiteti kombëtar, do të vendosë shenjën e saj edhe për pjesën tjetër të mbetur të garës për kreun e ri të Elizesë.
Nga shtatë kandidatët republikanë, Fillon ishte ai që artikuloi më mirë e që u shfaq si avokat i hapur i asaj që shihet në Francë si modeli ekonomik anglo-sakson.
Ai shfaqet si një njeri që nuk ka frikë se mos ofendon traditën statiste franceze apo se mos nxit pasoja popullore ndaj politikave ekonomike neoliberale.
Në tubimin e fundit përpara votimit të së dielës brenda partisë, ai tha: “Jam i shoqërizuar me një etiketim liberal sa i takon ekonomisë në të njëjtën mënyrë si pikturoheshin kryqet në dyert e lebrozëve në mesjetë. Por unë jam thjesht pragmatist”.
Fillon ka shërbyer si kryeministër nën Sarkozinë, dhe mbahet mend për sfidimin e protestave në rrugë në atë kohë, sikundër dhe për promovimin e rritjes së moshës së pensionit. Ai e distancoi veten nga Sarkozy pas krizës financiare të vitit 2008 duke e përshkruar vendin si të falimentuar dhe duke sugjeruar se Franca kishte nevojë të shkurtonte edhe më shumë shpenzimet buxhetore.
Kritikët e tij kanë ngritur dyshime përse ai vazhdoi t’i shërbente kryeministrit të asaj kohe, kur nuk binte dakord me qasjen e tij.
Sarkozy nuk e mori fare në konsideratë Fillon si një kandidat presidencial, duke iu referuar atij si një “nga ata të stafit”. Por Fillon iu rezervua “të qeshë i fundit”. Duke e mposhtur Sarkozy, ai praktikisht i ka dhënë fund karrierës politike të ish-presidentit.
Avokati i masave të kursimit jeton në një kështjellë të shekullit të 12-të në perëndim të Francës dhe pëlqen të ngasë makina sportive klasike në parkun e afërt të La Mans. Ai madje, ka dalë edhe në emisionin televiziv francez të ngjashëm me “Top Gear”.
Së bashku me gruan e tij nga Uellsi, Penelope Clarke, kanë pesë fëmijë dhe mbajnë kuaj. Çifti, që u takua ndërsa ajo jepte mësime anglishteje në Le Mans dhe ai punonte për Ministrinë e Mbrojtjes, u martuan në provincë në një kishë.
Fillon është epitom i të drejtës tradicionale provinciale. Ai votoi kundër martesave brenda të njëjtit seks kur ligji erdhi në parlament me propozim të presidentit socialist, François Hollande, dhe për këtë pati mbështetjen e të djathtës katolike tradicionale. Duke pretenduar se qëndron për vlerat e familjes së krishterë, ai ka fushatuar kundër mëmësisë për nënat e vetme apo çiftet e së njëjtës gjini. Në një letër ndaj krerëve të kishës, ai premtoi të qëndrojë për parimin se “një fëmijë është gjithnjë frut i një nëne e një babai”.
Fillon e rriti mbështetjen në javët e fundit të fushatës pas publikimit të një libri për luftën kundër Islamit radikal, duke thënë se “nuk ka problem fetar në Francë. Por ka një problem të lidhur me Islamin”. Ai tha se zgjidhja nuk është të shënjestrohen muslimanët që i binden ligjit, por të targetohet fundamentalizmi.
Por, ai shkaktoi zemërim mes shoqatave të të drejtave të personave me ngjyrë gjatë fushatës kur iu referua kolonializmit francez si proces kur Franca ndau me botën kulturën e saj.
Fillon ka kërkuar riafrim me presidentin rus, Vladimir Putin për Sirinë. Pas zgjedhjeve amerikane, ai mirëpriti një aleancë të re mes Putinit dhe Donald Trump. I pyetur më herët gjatë fushatës nëse Franca duhej të bashkëpunonte me Bashar Al-Assad për të luftuar ISIS , ai tha se Franca duhet të bashkojë të gjitha forcat e mundshme “demokratike ose jo”.
Ai argumentoi se “De Goli, Çurçilli e Ruzvelti u bënë aleatë me Stalinin për të mposhtur nazizmin”.
Fillon tha se populli francez “dëshironte autoritet” dhe se kishte një “projekt të fuqishëm” për të reformuar Francën.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/