“Dosja 339” është një prej “fitilave ndezës” të reksionit ekstrem opozitar, nga e cila është ngritur pretendimi-kuazë se prej saj nuk mund të ketë zgjedhje me Ramën kryeministër. Në këtë dosje, siç dihet, ndodhen biseda të –përgjuara post-zgjedhore mes kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako dhe disa elementëve problematikë me ligjin në zonën e Shijakut, ku veçojnë Avdulajt.
Komunikimet mes tyre janë gjykuar nga opozita në kontekst, duke i përkthyer si aferë me blerje votash. Ky, si gjykim politik, i kërkuar me forcë prej saj për të qenë dhe penal. Por nëse qëmtohen të gjitha ato fraza të dosjes së përgjimeve, asaj çfarë është publikuar deri më tani, nuk gjendet asnjë e tillë-simbol ku të flitet qartazi e shkoqur për blerje vote. Në një qasje psikologjike, duke qenë se ajo ofrohet si “dosje përgjimesh”, predispozita emotive politike të çon ta shohësh me sy afere, por literalisht nuk ka asnjë implikuese penalisht. Në këtë rast, detyrë e prokurorëve është të gjejnë lidhjen e mundshme mes bisedave dhe efektit të tyre në terren, pra në votë. Vetëm në këtë rast mund të flitet për pranga, e paralel për një reagim in extremis në mbrojtje të votës.
Për momentin, Dako merr një ndëshkim vetëm politik, duke u gjykuar moralisht mbi komunikimin dhe bashkëpunimin e tij në fushatë me njerëz problematikë. Është një kosto që ai ka pranuar vetë ta marrë përsipër, gjersa publikisht ka zgjedhur të mbrohet për praktikat e zgjedhura të tij elektorale.
Mirë do kish qenë të ecte në gjurmët etike të Saimir Tahirit; të jepte dorëheqjen dhe t’u (vet)nënshtrohej hetimeve.
Dhe le të vijmë te Tahiri. Edhe këtij një dosje përgjimesh ja hapi telashet, pa qenë vetë në to. Një dialogim mes trafikantësh ku përmendej një Saimir, por….dhe këtu është rasti për t’u potencuar një detaj: nuk ka Tahiri nga pas. Ka dhe “ai lart” në përgjime, por literalisht, emër me mbiemër – Saimir Tahiri nuk ka.
Nga pikëpamja a korrektesës gjuhësore, por dhe etike e politike, fraza standarte në gojën e medias e politikës ç’prej ditës së parë kur dolën përgjimet, duke u cilësuar ato si “përgjime ku përmendet emri i Saimir Tahirit”, është jo korrekte. “Ku përmendet një Saimir” – po, por jo Saimir Tahiri. Por edhe kjo gjykohet në kontekst dhe sigurisht, në vështrim të parë ka një përqindje të lartë dyshimesh për implikim.
Megjithatë, Tahiri qëndron më lart se gjithë precedentët e mëparshëm në politikë, pasi zgjodhi të vetzhvishet nga çdo pushtet për t’ju nënshtruar hetimeve, e deri më tani ka një fitore ligjore; pafajësinë nga drejtësia italiane.
Pra, të dy dosjet kanë dhe detaje që parë ftohtë nuk janë dhe aq “të nxehta”. Të tilla i bën dhe fakti se për herë të parë – ose më saktë për herë të dytë – kemi përgjime të dala në publik me protagonistë politikanë të lartë.
Hera e parë ishte videoja Meta – Prifti. Por sot, referuar gjuhës së ligjit e jo moralit, Ilir Meta është president, për më tepër edhe bashkëlider opozite në “ilegalitet”.
Ndërsa Tahiri dhe Dako, edhe në mos rezultofshin kurrë me probleme penale, politikisht mund të konsiderohen të djegur. Pra, një padrejtësi që vet politika e prodhon, me ndihmën edhe të medias, që po ashtu si ajo gjykon me disa standarte. /tesheshi.com/