Në futboll çfarë nuk ka ndodhur, por prapë ka ende për të ndodhur e për të na habitur.
Kryepersonazhi i së shtunës është bërë portieri i Mainzit në Gjermani, Robin Zentner. Në ndeshjen kundër Borusias së Myncegladbahut, 23-vjeçari ndaloi me këmbë një top të kthyer nga mbrojtësi dhe më pas ngriti kokën të gjente lojtarin më të përshtatshëm të ekipit të tij për t’i pasuar.
Në momentin që e vendosi ku do ta dërgonte topin, ai e gjuan atë…ose më saktë gjuan “asgjënë” që ishte në vend të topit, i cili i ishte larguar nga këmba. Për fatin e tij, sulmuesi kundërshtar nuk arriti të përfitonte nga gafa e portierit, se po ta bënte do ta shndërronte atë moment në një prej golave më qesharakë të pësuar ndonjëherë.
Megjithatë, edhe me aq sa ndodhi, të gjithë portalet e rrjetet sociale, “pasuan” videon me huqin e rrallë të portierit Zentner. Shumë prej tyre, kaluan edhe në tallje, duke shkruar se portieri po bënte pasa me fantazmat.
Gjëra që ndodhin mbase, por në futboll duhet të jesh gjithë kohën i përqëndruar, sepse jo gjithmonë mjaftojnë këmbët për të luajtur, duhet edhe e shkreta mendje. /tesheshi.com/