Mjafton të kujtojmë sesa larg nga faktet është Donald Trump. Ai jeton në një mbretëri të fantazuar, ku çertifikata e lindjes së Barak Obamës është fallco, ku presidenti themeloi ISIS, ku Klintonët janë vrasës dhe ku babai i një rivali të tij ishte me Lee Harvey Oswald përpara se ky të qëllonte John F. Kennedy.
Trump është eksponenti drejtues i politikës së “post-së vërtetës” – që mbështetet mbi hamendësime që “duken si të vërteta”, por që në fakt nuk kanë asnjë bazë. Vrazhdësia e tij nuk ndëshkohet, por merret si provë e vullnetit të tij për të sfiduar pushtetin e elitave. Dhe ai nuk është i vetmi. Anëtarë të qeverisë së Polonisë pohojnë se presidentin e tyre, i cili vdiq në një aksident ajror, e kanë vrarë rusët. Fushata e suksesshme e Brexit u mbështet edhe mbi paralajmërimin se “hordhitë” e emigrantëve që do të rezultonin nga pranimi i Turqisë në BE do të dyndeshin në bllok.
Nëse dikush beson se politika duhet të mbështetet mbi faktet, situata është shqetësuese. Demokracitë e forta mund të ndërtojnë barriera mbrojtëse ndaj post-së vërtetës. Vendet autoritariste janë më të prekshme.
Mjeshtër të gënjeshtrave
Që politikanët, ndonjëherë pedalojnë mbi gënjeshtra, ky nuk është lajm; kujtojmë përrallën e Ronald Reganit se administrata e tij nuk tregtoi armë me Iranin në mënyrë që të siguronte lirimin e pengjeve dhe financimin e kryengritësve në Nikaragua. Diktatorët dhe demokratët në kërkim të heqjes së fajit nga vetja për paaaftësinë e tyre kanë manipuluar gjithnjë të vërtetën; humbësit e mëdhenj kanë akuzuar gjithnjë tjetrin për mashtrime.
Por, politika e post-së vërtetës është më shumë sesa një shpikje e elitave të dështuara që janë anashkaluar. Termi shfaq zemrën e asaj që është e re: e vërteta nuk falsifikohet apo kontestohet, por merr një një rëndësi dytësore.
Dikur, qëllimi i gënjeshtrës politike ishte të krijojnë pikëpamje fallco për botën. Gënjeshtrat e njerëzve si Trump nuk funksionojnë kështu. Ato nuk kanë për qëllim të bindin elitat, votuesit e të cilëve mund t’i pëlqejnë ose jo, por riforcojnë paragjykimet.
Ndjenjat, jo faktet, janë ato që kanë rëndësi në këtë lloj fushatimi. Mosbesimi që shfaqin kundërshtarët e tyre i jep vlerë argumentit “ne kundër tyre” mbi të cilin lulëzojnë kandidatët e post-së vërtetës. Dhe nëse kundërshtari fokusohet për të treguar se faktet e këtyre kandidatëve janë të gabuara, duhet të luftojë mbi një terren që ata kanë zgjedhur. Sa më shumë që fushatuesit e qëndrimit në BE sulmonin pretendimin e ekzagjeruar të Brexit se anëtarësia në bllok do i kushtonte Britanisë 468 milionë dollarë në javë, aq më gjatë e mbanin ata në veprim magnitudën e kësaj kostoje.
Politika e post-së vërtetës ka shumë prindër. Disa janë fisnikë. Vënia në dyshim e institucioneve dhe mençuria janë virtute demokratike. Mungesa skeptike e diferencës për liderët është hapi i parë drejt reformës. Kolapsi i komunizmit u përshpejtua për shkak se njerëz të guximshëm ishin të përgatitur të sfidonin propagandën zyrtare.
Por, në veprim janë edhe forca gërryese. Njëra prej tyre është zemërimi. Shumë votues ndjehen të lënë në baltë, ndërsa elitat që drejtojnë vendet lulëzojnë. Ata janë kundërshtues ndaj teknokratëve që i shërbejnë vetes të cilët thanë se euro do të përmirësonte jetën apo që Sadam Huseini kishte armë të shkatërrimit në masë. Besimi popullor në opinionin e ekspertëve dhe institucionet tradicionale është tronditur në të gjitha demokracitë perëndimore.
Post-e vërteta po ashtu është ndihmuar edhe nga evolucioni i medias. Fragmentarizimi i burimeve të lajmit ka krijuar një botë të atomizuar në të cilën gënjeshtrat, thashethemet dhe hamendësimet shpërndahen me shpejtësi alarmuese. Gënjeshtrat që ndahen gjerësisht online brenda një rrjeti, anëtarët e të cilit e besojnë njëri-tjetrin më shumë sesa çdo burim të medias tradicionale, mund të marrin shpejt dukjen e së vërtetës. Të prezantuar me prova që bien në kontradiktë me një besim që mbahet i shtrenjtë, njerëzit kanë prirjen që së pari të heqin qafe faktet. Praktikat gazetareske që kanë pasur qëllim të mirë, kanë faj po ashtu. Ndjekja e “barazpeshës” në raportim shpesh krijon ballancë hipokrite në kurriz të së vërtetës. Shkencëtari i NASA-s thotë se me gjasa Marsi është i pabanuar; profesor Gremçi thotë se zjen nga alienët. Është vërtet çështje opinionesh. Këmbëngulja e Trump se Obama themeloi ISIS hap një debat serioz sesi duhet përballur ekstremizmi i dhunshëm. Politika është e komplikuar, e megjithatë politika e post-së vërtetës e dënon këtë kompleksitet si manovër ekspertësh për të lënë mënjanë gjithë të tjerët, prandaj propozimet e Hillari Klinton për të paguar lejen prindërore të baballarëve kalojnë të pashqyrtuara dhe çështja e liberalizimit të tregtisë mbytet nga kërkesat “logjike” për proteksionizëm.
Duket joshëse të mendosh që, kur politika e shitur ndaj mashtrimeve nisë të dështojë, mbështetësit e gënjyer të mund të shohin gabimet. Pjesa më e keqe e politikës së post-së vërtetës, ndërkohë, është se ky vetë-korrigjim nuk mund të jetë i besueshëm. Kur gënjeshtrat e bëjnë jofunksional një system politik, rezultatet e dobëta mund të ushqejnë bjerrjen dhe mungesën e besimit tek institucionet që, në radhë të parë, mundësojnë lojën e post-së vërtetës.
Pro-të vërtetës dhe llogaridhënia
Për ta përballur gjithë këtë, politikanët e rrymës kanë nevojë të gjejnë një gjuhë ndryshe (cilësimi pro-së vërtetës mund të jetë një nisje). Përulësia dhe njohja e gënjeshtrave të së kaluarës mund të ndihmojë. E vërteta ka forca të fuqishme në mbështetje. Çdo politikan që bën premtime kontradiktore ndaj audiencave të ndryshme do të ekspozohet shpejt në Facebook apo në YouTube. Nëse një politikan gënjen për një takim të caktuar apo kërkon një donacion fushate, gjurmët e email-it mund ta kapin atë.
Demokracitë kanë edhe institucione që mund të ndihmojnë, po ashtu. Sistemet ligjore të pavarura kanë mekanizma për të vendosur në vend të vërtetën (në të vërtetë, edhe Melania Trump i është drejtuar ligjit për të kërkuar riadresimin e së kaluarës së saj). Kështu, në mënyrën e tyre, bëjnë edhe trupat e pavarur të krijuara për të informuar politik-bërjen, sidomos ato që mbështeten tek shkenca.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/