Nga Mensur Krasniqi
A mund të quhet se tani ka dështuar Marrëveshja e Përzhinos?
Cili ka qenë roli i partive politike shqiptare në negociatat për dalje nga kriza politike në takimin e liderëve partiak me eurokomisarin Johanes Han?
Nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare me 24 prill ose jo?
Reth këtyre pyetjeve e të tjera, në vazhdim portali tesheshi.com ka kërkuar mendimin e përfaqësuesve të partive opozitare, analistë politik dhe gazetarë.
Sipas sekretarit organizativ në Lëvizjen për Reforma në PDSH, Arben Taravari roli i liderëve shqiptarë në takimin me eurokomisarin Han ishte vetëm vasalitet ndaj VMRO DPMNE-së.
“Ky rast i krizës aspak nuk u shfrytëzua nga partitë shqiptare për të potencuar në favor të shoqërisë shqiptare në Maqedoni, në sensin e hapjes së listave zgjedhore, ku do e mundësonin demokratizimin brendapartiak dhe zhdukjen e fenomenit të servilitetit të antarësisë ndaj liderëve partiak, mandej decentralizimin e partive dhe avansimin e të drejtave të shqiptarëve në pergjithësi në këte shtet binacional”, deklaroi Arben Taravari për tesheshi.com.
Ai shtoi se Maqedonia është shumë larg plotësimit të standardeve optimale për mbajtje të zgjedhjeve të lira dhe demokrtike, andaj 24 prilli nuk nuk duket datë që garanton këto zgjedhje.
“Arsyeja kryesore për mos implementimin e Marrëveshjes së Përzhinos deri në fund ashtu si duhej, janë koalicioni me oficial trepalësh i udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe dy partitë parlamemtare shqiptare. Këto janë ditë të mëdha të aksionit politik por mbi të gjitha të aksionit qytetar! Janë orë që do shkruhen në librat e historisë se si shqiptarët lëvizën rrotën e saj që po i shtypte. 24 prilli duhet të jetë ditë zgjedhjesh vetëm nëse gjithçka është brenda parametrave demokratike, parametra të cilët kam frikë se kanë shumë pak kohë në dispozicion të realizohen”.
Analisti politik, Albert Hani, në një prononcim për portalin tesheshi.com ka thënë që partitë në pushtet me mjeshtëri i futën në kurth partitë opozitare me Marrëveshjen e Përzhinos, meqë në kuadër të kësaj marrëveshje nuk është folur aspak për prioritetet dhe problemet të cilët kërkojnë më tepër kohë, si përshembull pastrimi i listave zgjedhore, kërkesë kjo pa përmbushjen e së cilës nuk mund të organizohen zgjedhje demokratike.
“Gjatë negociatave fliteshte gjerë e gjatë duke i koklavitur edhe më tej problemet teknike, juridike dhe politike, por nuk u fol për prioritetet dhe problemet të cilët kërkojnë më tepër kohe si dhe nuk u fol për frikën dhe besimin e ndërsjellët. Liderët gjatë negociatave më tepër u përqendruan në eliminimin e provave inkriminiuese që do ta kërcënonin integritetin e tyre se sa në demokratizim të shtetit”, tha Albert Hani.
Dy partitë më të mëdha shqiptare në Maqedoni, BDI e PDSH, sipas Hanit duke kuptuar se politika shqiptare në Maqedoni sapo solli në sipërfaqe frymë të re e cila ka mundësi ta kërcënojë integritetin e tyre si dhe bi-polaritetin partiak, nisën garë me kohën, vetëm që të mos lënë mundësi për konsolidim të partive të reja shqiptare që grumbullojnë pakënaqësinë nga qeverisja e keqe.
“Në realitet shkaqe për shtyrje ose anulim të zgjedhjeve do të kemi përgjatë kohe gjer sa ta kuptojmë mirë domethënien e demokracisë. Tani besoj se mjafton që partitë ta kuptojnë përmbajtjen e Përzhinos, si dhe kuptimin e mirëfilltë të zgjedhjeve fer dhe demokratike, të pranuara nga të gjithë palët. Për këtë liderët duhet ta eliminojnë frikën e ndërsjellët duke garantuar se nuk do t’i vjedhin votat”, përfundoi Hani.
Ndërkaq kryeredaktori i gazetës Lajm, Isen Saliu për tesheshi.com lidhur me krizën politike në vend shprehet se shoqëria civilie dhe qytetarët duhet të paralajmërojnë vazhdimisht politikën që këtë krizë politike të mos e shndërrojnë edhe në krizë stabiliteti. Kurse sa i përket zgjedhjeve të parakohëshme, sipas tij me shumë gjasë nuk do të mbahen më 24 prill.
“Kriza politike në Maqedoni është futur në një fazë në të cilën është vështirë për ta definuar, por që si epilog do të ketë shtyerjen e zgjedhjeve të parakohshme të parapara për 24 prill. Megjithatë mendoj se në këto rrethana të krijuara duhet që mediumet, shoqëria civilie dhe qytetarët të paralajmërojnë vazhdimisht politikën që krizën politike të mos e shndërrojnë edhe në krizë stabiliteti, si; ndodh shpeshherë në Maqedoni, kur në kulmin e krizave politike ndodhin incidente ndëretnike, raste të montuara dhe kriza tjera të ndryshme”, deklaroi Isen Saliu. /tesheshi.com/