Reshjet gjatë natës dhe moti i keq në disa zona të vendit duket se kanë ndikuar negativisht në qarkullimin rrugor, madje duke u bërë burim edhe për aksidentet.
Policia e Shtetit bëri të ditur se janë regjistruar disa aksidente, në të cilat kanë ndikuar edhe kushtet e motit, por shkaktari kryesor është sjellja e drejtuesve të mjeteve.
Në këtë kuadër, policia apelon që drejtuesit të respektojnë rregullat e qarkullimit, veçanërisht përsa i takon kufizimit të shpejtësisë.
Referuar të dhënave, shkaktarë të aksidenteve në 24 orët e fundit janë:
– Humbja e kontrollit
– Tejkalimi i shpejtësisë
– Mospërdorimi i rripave të sigurimit
Sa më sipër, Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes maksimal gjatë udhëtimit:
– Të ruajnë kontrollin e mjetit dhe të kryejnë manovra të sigurta
– Të qarkullojnë me shpejtësi konform segmentit rrugor dhe sinjalizimit përkatës
– Të përdorin rripat e sigurimit në mjete, kaskot mbrojtëse në motorrçikleta
– Të mos përdorin aparatet celulare gjatë drejtimit të mjeteve
– Të mos përdorin pije alkoolike në rast drejtimi të mjeteve
– Të bëjnë kujdes me këmbësoret që kryejnë kapërcimin e rrugës jashtë rregullave të qarkullimit rrugor.
-Karvanet me makina të dasmorëve të respektojnë rregullat e lëvizjes, të mos parakalojnë, dasmorët të mos dalin nga dritaret pasi bëhen burim aksidenti.
Për shkelësit e normave të sjelljes gjatë drejtimit të automjetit, Policia Rrugore do marrë masat administrative maksimale ndaj tyre.
Policia Rrugore është në detyrë me patrulla dhe shërbime të përforcuara për të ndihmuar në kthimin e sigurt të drejtuesve të mjeteve, për të normalizuar trafikun, për tju ardhur në ndihmë në rast nevoje, për të parandaluar aksidentet, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore. /tesheshi.com/