Këto ditë në qiejt e botës do të nisë të fluturojë avioni model Boeing 737 800 i linjës AirAlbania, i pagëzuar me emrin e Migjenit, poetit të dashur të melankolisë. Dhe me gjasë, shumë shqiptarëve që do të ngrihen në qiell me emrin e poetit, do t’u vijnë ndërmend vargjet e tij të pavdekshme.
E veç librave, në formën e tyre më të magjishme ato vargje strehohen, brenda dorëshkrimeve origjinale, në letrat e zverdhura ku ai rrëshkiste dorën mbi 80 vjet më parë, aty, në dosjet e krijimtarisë së tij, të cilat ruhen në fondin personal të Migjenit në Arkivin Qendror të Shtetit. Në ato dorëshkrime gjendetnjë pjesë e qenies së tij.
Ndërsa shfleton mes fletëve të njërës prej dosjeve me krijimtari poetike të Migjenit ia vlen të ndalesh tek “Vetmija”, një poezi himn ku sundon shpirti i tij melankolik. Për lexuesit tanë e sjellim të plotë si më poshtë bashkë me fotot e dorëshkrimit të rrallë të poetit.
Vetmija
Më plak mërzitja
Që vetmija më sjell,
Përbuzja, urrejtja
të gjithë sendet m’i mbshtjell
dhe kam shum anmiq
të liqë
në këto sende pa shpirt.
Nuk flasin
as sy s’kanë
Por mue m’bahet
se aty janë
vetmë që të më plasin
zemrën.
Së paku të më shajnë
– I mallkuem!
Së paku të më tallin
– I vnuem!
Së paku të më këndojnë
– I yni Zot!
Ose të më thonë
– Jeton kot!
Të flasin, të flasin se fjalë due
në ket vetmi me dëgjue
Ose të më tregojnë historinë
e tyre, autobiografinë
ndosht’ atje do gjej gjasim
me jetën teme pa tingllim
që në vetmi po e kaloj-
dhe spo dij a rroj a s’rroj
Sendet heshtin. – Sa të pa mshirë!
Më bajnë dhe unë të hesht me pahir,
Pse gojë s’kanë
Dhe nuk flasin
Aty janë
Vetëm të më plasin
Zemrën teme që po vuen
Dhe ën mërzi vetveten truen.
13 –VI/37, Pukë. /tesheshi.com/