Nga Saimir Sulaj, Washington
“Watergate” mbetet një prej prej skandaleve më në zë në historinë politike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Po ashtu, çdo student i gazetarisë apo student i kësaj fushe, e ka parë si frymëzim punën e kryer nga gazeta “Washington Post” për nxjerrjen në dritë të kësaj ngjarjeje që çoi në dorëheqjen e Presidentit të 37 të SHBA-së, republikanit Richard Nixon. Ai u dorëhoq sepse anëtarë të stafit të tij për fushatën elektorale ndërhynë duke përgjuar stafin rival të demokratëve, duke ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve. A po shkon Presidenti Trump drejt “impeachment” (daljes para gjyqit që mund të çojë në shkarkimin e tij)?
Fushata zgjedhore presidenciale e vitit të kaluar ishte më e pazakonta në historinë e SHBA-së. Kjo jo vetëm për mënyrën se si u sollën kandidatët, ku komunikimi populist dhe me një gjuhë herë-herë edhe vulgare i kandidatit republikan binte në sy në çdo dalje publike, por edhe për atë që u hodhën dyshime se për herë të parë në fushatën presidenciale po ndërhynte një shtet tjetër, Rusia. Dyshimet lindën me publikimin e e-maileve të shefit të fushatës së kandidates demokrate, John Podesta. Wikileaks publikoi një sërë e-mailesh dhe dyshohet se ndërhyrjet janë kryer nga hackera rusë. Dhe problemi qëndron në atë që dyshohet se pjesëtarë të stafit të atëhershëm për fushatën e kandidatit republikan, kanë gisht në bashkëpunimet me palën ruse. Aktorë të rëndësishëm në fushatën e Trump e mandej edhe pjesëtarë të kabinetit të tij presidensial në postet e këshilltarëve, si gjenerali Michael Flynn apo dhëndri i tij Jared Kushner, janë takuar shpesh me zyrtarë rusë, mes të cilëve ambasadorin rus në Washington, Sergey Kislyak.
Çfarë ndodhi hap pas hapi?
– Gazeta e njohur “Washington Post” njofton se më 10 dhjetor 2015, Michael Flynn është pjesë e një paneli diskutimesh me rastin e 10-vjetorit të medias së mbështetur nga qeveria ruse, “Russia Today”, gjë për të cilën ai merr edhe pagesë. Ndërkohë që pas kësaj, agjencitë amerikane të inteligjencës njoftojnë se rriten komunikimet mes Flynn dhe ambasadorit rus në SHBA, Kislyak.
– Në fund të dhjetorit 2015 agjencitë britanike të inteligjencës zbulojnë bashkëveprime të dyshimta mes Rusisë dhe ndihmësve të Trump. Këto informacione ata ua kalojnë agjencive amerikane të inteligjencës.
– Më 19 mars 2016, shefit të fushatës së zonjës Clinton, John Podesta-s i dërgohet një email nga FBI në të cilin e këshillojnë që të ndryshojë fjalëkalimin e emailit, pasi në të kanë ndërhyrë hackera.
– Në korrik 2016, FBI nis hetimet për lidhje të mundshme mes qeverisë ruse dhe shtabit zgjedhor të Trump.
– 22 korrik 2016, Wikileaks nxjerr emailet që i janë vjedhur shtabit zgjedhor të Partisë Demokratike (Democratic National Committee).
– 27 korrik 2016, gjatë një konference për mediat, Trump u kërkon publikisht rusëve që të botojnë emailet që janë vjedhur nga serveri privat i zonjës Clinton. Ndërsa më vonë do të shprehej se po bënte shaka.
– Në shtator 2016, liderët e Kongresit informohen mbi besimin e CIA-s se Rusia po ndërhynte në zgjedhjet amerikane, në përfitim të Trump.
– Më 8 shtator 2016, Jeff Sessions (i cili u zgjodh edhe Prokuror i Përgjithshëm më pas në administratën e re), takohet në zyrën e tij në Senat me ambasadorin rus Kislyak.
– Më 7 tetor 2016, drejtori i National Intelligence dhe kreu i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, publikojnë një komunikatë të përbashkët të pazakontë në të cilën paralajmërojnë përpjekjet e Rusisë për të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane dhe shprehen se Rusia kishte dorë në publikimin e emaileve nga Ëikileaks.
– Më 8 tetor 2016, menjëherë pas publikimit të videopërgjimit të vitit 2005, në të cilin Trump dëgjohet të flasë për ngacmimet seksuale të tij ndaj disa grave, Wikileaks publikon emailet e para të marra prej adresës së Podesta-s. Emaile të tjera do të nxirreshin në javët në vijim.
– Më 18 nëntor 2016, pasi kishte fituar zgjedhjet, Trump bën emërimet e para në administratën e tij: Flynn si këshilltar për sigurinë kombëtare dhe Sessions si prokuror i përgjithshëm.
– Në fund të nëntorit 2016, anëtarë të ekipit të Trump për ndërrimin e administratës paralajmërojnë Flynn se komunikimet e tij me ambasadorin Kislyak do të vëzhgohen nga agjencitë inteligjente amerikane.
– Më 1 ose 2 dhjetor 2016, Flynn dhe Kushner takohen me ambasadorin Kislyak në “Trump Tower” në New York. Kushner propozon ngritjen e një kanali komunikimi mes administratës së re dhe Putin, mbase duke shkuar deri aty sa të përdoret një sistem i sigurtë komunikimi në ambasadën ruse në Washington. FBI dyshon se në biseda mund të jetë përfshirë edhe sugjerimi nga pala ruse që të lehtësohen sanksionet që i ishin vendosur Rusisë nga Obama për bankat ruse në mënyrë që ato të financonin njerëz të lidhur me Trump. Ndërsa burime pranë Kushner tregojnë se ky kanal komunikimi do të përqëndrohej vetëm në çështjen e Sirisë.
– Më 13 ose 14 dhjetor 2016, Kushner, me nxitjen e ambasadorit Kislyak, takohet me Sergey Gorkov, drejor i bankës shtetërore Vnesheconombank dhe njeri i besuar i Putin. Banka, e njohur si VEB, është nën sanksionet e qeverisë amerikane.
– Më 29 dhjetor 2016, administrata Obama urdhëron sanksione të reja ndaj organizatave dhe individëve rusë, në përgjigje të ndërhyrjeve të Rusisë në zgjedhje. Ndërsa Flynn i telefonon pesë herë ambasadorit Kislyak, ku temë e diskutimeve janë pikërisht këto sanksione të reja.
– Më 6 janar 2017, agjencitë amerikane të inteligjencës nxjerrin një raport ku nënvizojnë arsyet përse ata besojnë që Rusia ishte pas hackimeve në fushatën zgjedhore.
– Më 9 janar ekipi i Trump lajmëron se dhëndri i tij Jared Kushner do t’i bashkohet stafit presidencial si një ndër këshilltarët kryesore, por pa pagesë.
– Më 15 janar, zëvendëspresidenti i zgjedhur Mike Pence mohon që Flynn dhe Kislyak kanë diskutuar për sanksionet.
– Më 24 janar, FBI merr në pyetje Flynn për bisedat e tij me Kislyak një muaj më herët.
– Më 27 janar, Presidenti Trump, i cili e mori detyrën më 20 janar, në një darkë private në Shtëpinë e Bardhë, thuhet se i ka kërkuar drejtorit të FBI në atë kohë, James Comey-t që të zotohet për besnikëri ndaj tij. Por Comey i ka ofruar vetëm ndershmëri.
– Më 11 shkurt, Flynn paraqet një raport mbi të ardhurat e tij, në të cilin nuk përfshin pagesat e marra nga media ruse “Russia Today”.
– Më 13 shkurt, Flynn jep dorëheqjen nga posti i këshilltarit të sigurisë kombëtare.
– Në prill ose maj, FBI përqendrohet te Kushner si një njeri me interes në hetimet e tyre, teksa përpjekjet për zbulimin e së vërtetës shtohen.
– Më 10 maj, Trump shkarkon drejtorin e FBI Comey. Në një intervistë televizive për NBC, Trump tha se e kishte shkarkuar Comey-n, pasi sipas tij “kjo gjëja e Rusisë me Trump dhe Rusinë është një histori e sajuar”. Burimet nga inteligjenca amerikane tregojnë se Kushner ishte një zë i fortë që qëndronte pas shkarkimit të Comey, pasi agjencia që drejtonte ky i fundit kishte nisur hetimet ndaj tij.
– Më 11 maj, në një takim privat me ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov dhe ambasadorin rus në SHBA Kislyak, Trump zbulon informacione sekrete që SHBA-së ia kishte dhënë një shtet aleat, që më vonë u raportua se ishte Izraeli. Gjithashtu raportohet se Trump nënçmoi Comey-n në atë takim, duke e cilësuar atë si të çmendur. Ai gjithashtu u tha Lavrov dhe Kislyak se “ishte përballur me një trysni të madhe për çështjen e Rusisë”, por që tani, me shkarkimin e Comey-t, “ajo trysni ishte hequr”.
– Më 17 maj, zëvendës prokurori i përgjithshëm i SHBA-së, Rod Rosenstein cakton ish-drejtorin e FBI Robert Mueller si të emëruar special për të mbikëqyrur çështjen e hetimeve mbi Rusinë.
Çfarë pritet të ndodhë
Ndërhyrja e Rusisë në zgjedhjet amerikane përflitet prej kohësh. Por nëse vërtetohet bashkëpunimi i stafit të Trump, apo jodrejtpërdrejt edhe i vetë Presidentit në këtë gjë, atëherë do të shënohej skandali më i madh në historinë e SHBA-së. Mediat amerikane dhe shumë politikanë kanë ngritur zërin se Trump mund të jetë i ndikuar nga rusët pasi këta të fundit mund të jenë duke e shantazhuar. Vetëm pak ditë më parë, mediat amerikane publikuan informacione të rrjedhura nga agjencitë amerikane të inteligjencës, në të cilat thuhet se besohet se rusët kanë informacione poshtëruese për Trump. Në këtë mënyrë, dyshohet se ata kanë ndërhyrë në zgjedhje në favor të Trump, pasi mund ta shantazhonin atë.
Tashmë shumçka janë zbuluar dhe hetimet do të vijojnë edhe me ekipin e ri të punës që drejtohet nga Mueller. Nëse të gjitha pikat që përmendëm më lart vërtetohen nga hetimet, problem mbetet fakti se përse këshilltarë të afërt të zotit Trump duhet të vendosin një kanal të fshehtë komunikimi me qeverinë ruse, qoftë edhe për çështjen e Sirisë, apo më keq, nëse bëhet për çështje të tjera, kur kanë agjenci të ndryshme të inteligjencës që zakonisht merren me këto punë, siç është edhe CIA?
E bukura e demokracisë amerikane është fakti që ekzistojnë struktura të posaçme që hedhin dritë mbi veprimtari të tilla të dyshimta të pjesëtarëve të administratës, përfshirë edhe Presidentin e vendit. Flynn, Kushner dhe mbase edhe të tjerë mund të dalin përpara asaj që njihet si “Grand jury”, ose “Juria e madhe”. Përpara anëtarëve të kësaj jurie, ata duhet të dëshmojnë nën betim, për gjithçka ka të bëjë mbi çështjen e Rusisë. Dhe për këtë janë të detyruar të thonë të vërtetën, përndryshe, në rast se zbulohet që nuk e kanë thënë, parashikohen ndëshkime. Dhe përpara kësaj jurie, në dëshmitë e tyre, Flynn dhe Kushner mund të jenë të detyruar të nxjerrin të tjera informacione. Dhe në këto deklarata mund të përfshihen edhe zyrtare më të lartë të administratës, gjer te Presidenti Trump për veprime apo mosveprime të tyre në këtë çështje. Edhe fakti që Presidenti mund të dalë gënjeshtar apo anashkalues i institucioneve të vendit, mund të bëjë që të shkohet drejt asaj që quhet “impeachment” ose dalje e tij para gjyqit. /tesheshi.com/