Të gjitha ulëset e parlamentit që u dogjën demostrativisht nga deputetë të opozitës të hënën, do paguhen një më një. Do paguhen nga ata që e ndezën zjarrin.
Sipas verifikimeve të deritanishme nga organet ligjzbatuese, janë katër deputetë mbi të cilët do rëndojë kostoja e atyre që dogjën nën një histeri zemërimi për kolegun e tyre Salianji që përfundoi në qeli: Flamur Noka, Gazment Bardhi, Bledjon Nallbati dhe Elda Hoti. Kjo e fundit ishte ajo që mbante një shishe benzine në xhep.
Mësohet se fatura e dëmit nuk është vetëm kostoja e karrigeve të dëmtuara, pasi në të do të përfshihen edhe dëmet në pajisje elektronike, mikrofona, tapete, foltore dhe ekrane. Vetëm kostoja e një pajisjeje votimi është mbi 2 mijë euro. Grupi i Punës në Kuvend do ta mbarojë evidencën brenda datës 8 Tetor.
Grupi i punës po këqyr kamerat e brendshme të Kuvendit si dhe ato në oborr, transmetuar nga media. Kostot nuk do të mbahen nga paga e këtij muaji. Fatura do t’i njoftohet secilit dhe do t’ju lihet kohë ta paguajnë vullnetarisht. Nëse nuk e bëjnë, do t’u mbahet nga paga. /tesheshi.com/