Kremlini njoftoi të hënën se beson se Evropa ka nevojë për një “arkitekturë të re sigurie” dhe se do të kërkojë shumë përpjekje në të ardhmen.
Kështu është përgjigjur nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në pyetjen e një gazetari, duke komentuar deklaratën e presidentit francez Emmanuel Macron se marrëdhëniet e Evropës me Rusinë duhet të rishikohen pas luftës në Ukrainë.
“Natyrisht, për shkak të faktit se arkitektura e sigurisë së Evropës po ndryshon me shpejtësi, është e nevojshme të ndërtohet një arkitekturë e re e sigurisë për Evropën, e cila do të kërkojë shumë përpjekje në të ardhmen,” u tha Peskov gazetarëve, siç raportohet nga RIA Novosti.
Ai tha gjithashtu se çdo strukturë e ardhshme duhet të garantojë sigurinë ruse përmes të gjithë sistemit të garancive.
Një plan për t’i dhënë fund luftës
Në pyetjen e gazetarit për “Planin e Fitores” të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, Peskov tha se Kremlini do ta studiojë atë nëse ka informacion zyrtar për planin.
“Ne besojmë se raportet e mediave nuk duhet të analizohen. Nëse informacioni për këtë shfaqet në burime zyrtare, ne, natyrisht, do ta shqyrtojmë me kujdes. Ka shumë informacione kontradiktore dhe jo të besueshme për këtë çështje. Prandaj, ne jemi shumë të kujdesshëm”, tha Peskov.
Këtë javë, presidenti ukrainas Zelensky duhet t’ia paraqesë planin Presidentit të SHBA Joe Biden dhe pasardhësve të tij të mundshëm, Kamala Harris dhe Donald Trump.
Zelensky ka mbërritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku të martën do të mbajë një fjalim para anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Plani, detajet e të cilit Zelensky deri më tani nuk i ka bërë publike, duket se është një nxitje e madhe për presidentin ukrainas në përpjekjet e tij për të bindur Uashingtonin dhe aleatët e tjerë që të ofrojnë ndihmë shtesë dhe edhe më bujare për vendin e tij në mënyrë që të detyrojë Moskën për t’i dhënë fund konfliktit me kushte të pranueshme për Kievin. /tesheshi.com/