Më 7 prill të vitit 1939, pikërisht 144 ditë para fillimit zyrtar te Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria u bë objekt pushtimi nga shteti fashist i Musolinit. Sot mbushen 76 vite vite kur drejt qiejve të Shqipërisë u nisën mbi 600 avionë dhe 173 luftanije, ku aty mes orës 04.30 të mëngjesit nisi dhe sulmi ushtarak.
Nga kronikat e kohës mësohet se rreth 50.000 trupa fashiste e përqëndruan goditjen në 4 drejtime strategjike, por përqëndrimi më i madh ishte mbi Durrësin. Kolona e këtij drejtimi kishte si objektiv pushtimin e Durrësit, Tiranës, Elbasanit dhe Korçës.
Trupat pushtuese ndeshën rezistencë të armatosur edhe në Sarandë, Vlorë, në Bestrovë dhe tek ura e Bahçallëkut ne Shkodër, por rezistenca më aktive u zhvillua në Durrës.
Urdhëri për pushtimin ushtarak të Shqipërisë i qe dorëzuar komandantit të trup-ekspeditës fashiste italiane, Gjeneral Guxonit, që me 31 mars 1939. Në dispozicion të tij për fazën e parë të pushtimit, ai kishte një divizion këmbësorie, katër regjimente bersalierësh, tri batalione të mekanizuara.
Këto trupa mbështeteshin edhe nga 5 batalione të tjera kembësorie, të cilat sëbashku me artilerinë dhe repartet e shërbimit, sipas historianëve ushtarakë italianë, kishin organikë të barabartë me një divizion.
Në mbështetja të sulmit qe skuadra ajrore A, e përbërë nga tre divizione ajrore te cilat i komandonte gjeneral Prikolo. Një divizion me 4 regjimente aero-transportuese, një divizion me tre regjimente aeroplanësh bombardues, një regjiment bombarduesish tokësorë dhe një regjiment gjuajtësish të shoqëruar nga hidrovolantë e aeroplanë të tjerë plotësues.
Diplomacia fashiste para pushtimit
Sipas dokumentacionit të botuar në vitet e pasluftës,ambasadori gjerman në Romë, Makenzen, i kishte lënë të kuptonte Musolinit gjatë një bisede me të se Gjermania ishte e gatshme te njihte çdo veprim ushtarak të Italisë ndaj vendit fqinj, Shqipërise.
Sipas dokumentave të Ministrisë se Jashtme italiane, kjo bisedë është zhvilluar më 17 mars të vitit 1939, rreth 20 ditë para agresionit te organizuar. Po kështu, etheve diplomatike të fashistëve për pushtimin e Shqipërisë, u është përgjigjur pozitivisht edhe diplomacia e Beogradit.
Më 5 prill, ministri italian në Beograd ka zhvilluar një bisedë me homologun e tij jugosllav, ku dhe pala jugosllave mësohet të ketë dhënë mbështetje për interesat italiane në Shqipëri. Dhe për këtë përkrahje të hapur, Duçja i ka dërguar falënderime të posaçme qeverisë së atëhershme jugosllave nëpërmjet të dërguarit të tij.
Si këmbim, qeveria fashiste i ka premtuar me këtë rast Beogradit se nuk do të dërgonte kontigjente të mëdha trupash në afërsi të kufirit shqiptaro-jugosllav. Në takimin e dy ministrave të jashtëm, atij jugosllav e italian të zhvilluar me 22 e 23 prill, qeveria jugosllave ka konfirmuar përfundimisht se e njihte pushtimin e Shqipërisë, ndërsa kolegu i tij fashist ka deklaruar se Italia nuk kishte interesa të veçanta në Kosovë.
Të rënët e 7 prillit
Më 7 prill, ranë në luftë 9 shqiptarë, për të cilët u shkruajt në atë kohë dhe në shtypin e huaj, si shenjë se një kohë e rëndë po vinte.
Ndërkohë në foton anash mund të shihni një pritestë antifashiste në SHBA, pikërisht pas pushtimit të Shqipërisë.
Ata janë: Mujo Ulqinaku, Hamit Dollani, Haxhi Tabaku, Hysen Koci, Isak Metalia, Ramazan Velia,Ismail Reçi, Ibrahim Osmani, Hamit Vashko.
Ndërkohë, në ditët dhe kohët që pasuan, do ishin trupat italiane ato që do linin shumë të vdekur në tokën shqiptare, si pasojë e luftrave.
Ne po botojmë për herë të parë foto të rralla varresh të ushtarëve italianë, të cilave u është kushtuar një roman e më pas një film: ‘Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur’, nga Ismail Kadare.
Përgatiti: Mark Brunga – /tesheshi.com/