Sot mbushen 20 vjet nga fillimi i bombardimeve të NATO-s ndaj ish-Republikës Federale të Jugosllavisë, që përbëhej nga Serbia dhe Mali i Zi dhe të cilat zgjatën 78 ditë, shkruan Anadolu Agency.
Bombardimet ndaj RFJ-së zgjatën nga 24 marsi deri më 1 qershor 1999. Kjo ishte ndërhyrja e dytë e rëndësishme e NATO-s në hapësirat e ish-Jugosllavisë pas bombardimit të pozicioneve të forcave ushtarake të serbëve të Bosnjës e Hercegovinë rreth Sarajevës dhe në pjesët e BeH-së që ishin nën pushtimin e forcave serbe në operacionin “Forca e Qëllimshme”, të vitit 1995.
Operacionet e NATO-s përfunduan pas nënshkrimit të marrëveshjes tekniko-ushtarake për tërheqjen e ushtrisë dhe policisë jugosllave nga Kosova.
Dëmet e shkaktuara gjatë bombardimit të RFJ-së u vlerësuan në rreth 30 miliardë dollarë ndërsa numri i saktë i viktimave nuk është publikuar, ndërkaq vlerësohet në mes 1.200 dhe 2.500 të vdekur dhe rreth 5.000 të plagosur.
Arsye e fillimit të bombardimit ishin pikërisht zhvillimet në Kosovë, ku që nga viti 1996 kur filluan përleshjet e para në mes forcave serbe dhe shqiptarëve.
Bashkimi Evropian në mesin e vitit 1998 zgjeroi sanksionet ekonomike kundër Beogradit për shkak të ndërhyrjes serbe në Kosovë, duke vendosur ndalesën e fluturimeve komerciale të kompanive jugosllave në të gjitha 15 vendet anëtare sa numëronte asokohe BE-ja.
Presidenti i atëhershëm i RFJ-së, më pas i dënuari i Hagës, Sllobodan Millosheviç, u dakordua që të plotësojë pjesën më të madhe të kushteve të parashtruara nga fuqitë botërore për t’i dhënë fund gjakderdhjes në Kosovë, duke potencuar se do të tërheq forcat e tij nga Kosova, siç tha ai, “vetëm pas ndërprerjes së terrorizmit”.
Por, në terren, në Kosovë, shkatërrimet e luftës jo vetëm që vazhduan, por ato edhe u intensifikuan.
Masakra në Reçak shënoi kthesën në luftë, pasiqë komuniteti ndërkombëtar humbi durimin me politikat agresive të Millosheviçit dhe mori vendimin për interevenim ushtarak për të parandaluar eskalimin e mëtejshëm të dhunës në Ballkan.
Diplomati amerikan Richard Holbrook u takua për herë të fundit me Millosheviçin në mars të viti 1999, ku i ofroi shansin e fundit që të pranojë Marrëveshjen e Rambujesë, sipas të cilës, Kosovës do t’i rikthehej autonomia, Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) do të çarmatosej dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s do të vendoseshin në Kosovë. Millosheviçi refuzoi kushtet, gjë e cila çoi në bombardimin e NATO-s ndaj FRJ-së.
NATO fillimisht sulmoi caqet përrreth Beogradit. Një nga caqet kryesore të sulmeve të ashpra të forcave të NATO-s ishte aeroporti i Beogradit në Batajnicë, si dhe caqet ushtarake në komunat Vozhdac, Gorcka, Pançevë dhe fabrika e avionëve Utva si dhe zonat Kovina dhe Kaçareva.
Raketat e NATO-s më 23 prill goditën ndërtesën e Radio Televizionit të Serbisë (RTS), dhe për 24 orë u ndërpre transmetimi i programit. Me këtë rast humbën jetën 16 punonjës të RTS-së.
Po ashtu më 7 maj raketat e NATO-s goditën ndërtesën e ambasadës kineze në Beograd, ku jetën humbën tre gazetarë kinezë, gjë që shkaktoi protestën e Pekinit. NATO kërkoi falje, duke theksuar se për çdo gjë fajin e ka harta e vjetër e qytetit të Beogradit dhe se ambasada nuk është qëlluar qëllimisht.
Gjatë bombardimit të Serbisë, avionët e NATO-s kanë realizuar 38.000 fluturime, duke sulmuar depot dhe fabrikat e armëve të Serbisë në Beograd, Nish dhe Novi Sad.
Avionët e NATO-s kanë bombarduar edhe disa caqe ushtarake në Mal të Zi, duke sulmuar aeroportin ushtarak në Podgoricë dhe një objekt ushtarak në Danilovgrad si dhe disa caqe ushtarke midis Tivarit dhe Ulqinit dhe midis Budvës dhe Sutomores.
Në ditët e para të bombardimit të NATO-s në Kosovë u dëgjuan 15 shpërthime, në veri të Prishtinës, si dhe dy shpërthime në Mitrovicë. Po ashtu u godit edhe kazerma në Ferizaj.
NATO çdo ditë sulmonte caqet ushtarake në të gjithë ish-Republikën Federale të Jugosllavisë, duke hedhur raketa ndaj aeroporteve, kazermave dhe qendrave të mbrojtjes kundërajrore.
Ndërsa vazhdonin bombardimet e NATO-s mbi caqet në RFJ, në të njëjtën kohë, ushtria e ish-Jugosllavisë përshkallëzoi sulmet e saj në Kosovë. Kështu, më 25 mars 1999 ndodhi masakra në Krushën e Madhe, në të cilën u masakruan 44 civilë shqiptarë ndërsa një ditë më vonë, më 26 mars ndodhi masakra në Suharekë ku u vranë 48 civilë shqiptarë.
Masakra në Izbicë, në të cilën u masakruan 120 shqiptarë ndodhi më 28 mars ndërsa më 27 prill ndodhi ndoshta masakra më e madhe në Pejë, ku u vranë mbi 200 shqiptarë.
Presidenti i atëhershëm malazez Gjukanoviç, që në ditën e parë të bombardimve të ish RFJ-së kritikoi “politikën e konfliktit me mbarë botën” të cilën e udhëhiqte presidenti i atëhershëm i ish-Jugosllavisë Sllobodan Millosheviç. Gjukanoviç kërkoi nga Millosheviçi t’i jepte fund politikës që shkakton viktima të pafajshme dhe kërcënon ekzistimin e shtetit të përbashkët RFJ.
Në të njëjtën kohë ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të përmbahet nga sulmet e mëtejshme në Jugosllavi, sepse ai pretendoi se problemi i Kosovës nuk mund të zgjidhet me anë të forcës.
Një nga përpjekjet më të çuditshme të Millosheviçit për të dalë nga kriza ndodhi më 12 prill, kur parlamenti jugosllav miratoi vendimin e qeverisë për pranimin e Beogradit në Unionin e Rusisë dhe Bjellorusisë.
Në të njëjtën kohë, Millosheviçi i dërgoi një letër presidentit të atëhershëm të Rusisë, Boris Jelcin. Në letër kërkohej zyrtarisht pranimi i RFJ-së në Federatën e Rusisë dhe Bjellorusisë. Megjithatë, Moska nuk u pajtua me idenë, duke theksuar se “së pari duhet zgjidhur situata në Kosovë”.
Edhe pse ushtarët e ish RFJ-së vendosën maketa mbi tanke për të mashtruar NATO-n, dëmet megjithatë ishin gjithnjë e në rritje ndërsa nga fundi filluan të bombardojnë edhe stacionet e energjisë në Beograd, ndërsa Millosheviçi më në fund pranoi kushtet e tërheqjes së ushtrisë jugosllave dhe hyrjes së KFOR-it në Kosovë.
Kjo njëherësh shënon përfundimin e fushatës së NATO-s më 11 qershor 1999. Rreth 750 mijë shqiptarët e dëbuar u kthyen në Kosovë, por rreth 100 mijë serbë nga frika u larguan nga Kosova.
Me ndërhyrjen e forcave të NATO-s, Ushtria Jugosllave u tërhoq nga Kosova.
Dhjetë vjet më vonë, Kosova shpalli pavarësinë, dhe u njoh nga më shumë se 100 shtete anëtare të OKB-së, e cila vazhdon të mbetet subjekt i polemikave të ndryshme.
Marrë nga AA