Situata e përmbytjeve që kanë përfshirë vendin është rënduar edhe më shumë si rezultat i një nate me reshje të dendura. Kështu, raportohet se Vjosa ka dalë nga shtrati dhe brenda dy orëve në vijim pritet të nisë edhe evakuiumi i gjësë se gjallë në Novoselë, Fitore, Bishan etj. Situata duket e rënduar edhe në Bashkinë e Selenicës, sipas të dhënave mësohet se janë rritur ndjeshëm edhe prurjet e lumit Shushicë, aktualisht rrezikohet zona e njohur si Bishti i Malit dhe ura e Gjormit.
Gjatë natës në Fier është ndërprerë energjia në 23 fshatrat e njësive administrative Levan dhe Frakull si pasoje e defekteve ne izolatorët e shtyllave te tensionit të lartë.
Emergjenca Civile thotë se në bazë të parashikimeve të motit, në orët dhe ditët në vijim pritet ende përkeqësim i situatës së rënduar për shkak të reshjeve të shiut, të cilat mund të kalojnë nivelet normale.
Në raportimin e mëngjesit të sotëm, Emergjencat Civile iu bëjnë thirrje qytetarëve të evitojnë lëvizjet e panevojshme këmbësore dhe qarkullimin e mjeteve në akset rrugore që paraqesin rrezik nga përmbytjet.
Kujdesi për jetën mbetet prioriteti i dorës së parë. Të gjithë duhet të shmangin sa më shumë të jetë e mundur udhëtimet në zonat e prekura nga reshjet, qëndrimin në afërsi të lumenjve e përrenjve, qëndrimin afër shtyllave apo objekteve të tjera të larta që mund të goditen nga shkarkesat elektrike etj.
Po ashtu, qytetarët që banojnë shumë pranë shtretërve të lumenjve, në afërsi të digave apo në zona që historikisht rrezikojnë përmbytje, duhet të shtojnë kujdesin për jetën dhe të jenë në gatishmëri për të bashkëpunuar me strukturat e emergjencave civile në rast të nevojës për evakuim të përkohshëm. /tesheshi.com/