Ndërsa Shqipëria po përballet me përmbytje të mëdha për shkak të reshjeve të vazhdueshme të shiut, një situatë e njëjtë po paraqitet edhe në disa fshatra të Kosovës.
Reshjet e 24 orëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje në fshatrat e Prizrenit, Mitrovicës, Malishevës si dhe në komunën e Kaçanikut por jo vetëm.
Situatë më e rëndë paraqitet në fshatrat Mirushë e Gurbardh të Malishevës ku lumi Mirusha ka dalë nga shtrati dhe janë përmbytur tokat përgjatë lumit, si dhe rruga është bërë e pakalueshme.
Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), në Malishevë ka rekomanduar shkollat, që në rast të vazhdimit të reshjeve dhe rritjes së nivelit të ujërave, të marrin masa.
Përmbytje të mëdha janë shkaktuar edhe në qytetin e Kaçanikut, si dhe në autostradën që po ndërtohet në drejtim të Maqedonisë.
Qarkullim brenda qytetit është vështirësuar, pasi disa pjesë të Kaçanikut raportohet të jenë të pakalueshme.
Përmbytje janë shkatuar edhe në një pjesë të fshatit Dedaj të Prizrenit si dhe në disa fshatra të Mitrovicës. /tesheshi.com/