Analisti Dritan Hila, në një reagim në Dritare.net lidhur me një shkrim të publikuar në tesheshi.com me autor Justinian Topullin, i cili ishte po ashtu një reagim ndaj një statusi të Hilës, e nis fjalën e tij duke thënë se tesheshi.com financohet nga neotomanë.
Sqarojmë z. Hila dhe çdokënd që ka bërë aludime të tilla lidhur me këtë media shtatë vjecare, se tesheshi.com nuk financohet nga askush – individ, shtet, parti apo organizatë – duke zgjedhur që të jetë krejtësisht e lirë nga ndonjë kontekst vartësie financiare, me qëllimin për t’i siguruar vetes komoditetin e lirisë editoriale, për çdo lloj zhvillimi: politik, gjepolitik, social, shoqëror e kultural.
Në qasjen tonë me kritika ndaj qëndrimeve të ndokujt, ne nuk na interesojnë aspektet okulte, por vetëm ajo çfarë thotë në publik; që do të thotë se në rastin konkret, pak ose aspak rëndësi ka për ne se kush e financon z. Hila apo Dritaren e tij, e cila, për t’i dhënë hakun, ka një linjë të admirueshme atdhetare me promovimin e bukurive shqiptare dhe apelet ndërgjegjësuese për të mos e lënë këtë vend. Ne thjesht nuk pajtohemi me qëndrimin e Hilës në lidhje me atë çfarë po ndodh në Gaza, qëndrim i cili jo thjesht ka anësi, zgjedhja e tij kjo, porse anësia ka spekullime dhe pavërtetësi. Hila, siç nuk e ka problem të thotë një gënjeshtër në lidhje me financimin e tesheshi.com, duke shkelur një normë bazë gazetareske të sjelljes së faktit për një pretendim që nuk është e kategorisë opinion por ka theks akuze, vijon po ashtu në të njëjtën linjë dhe kur tenton të shpjegojë se ç’po ndodh mes Izraelit dhe Hamasit.
Ai na drejtohet ne pezhorativisht si islamistë, ndërkohë që ne jemi thjesht muslimanë, duke u përpjekur të jemi korrekt me parimet tona etike, të cilat diktojnë dhe parime gazetareske e njerëzore bashkë. Fjala vjen, ndaj z. Hila, si nga z. Topulli si nga tesheshi.com nuk ka asnjë etiketim fyes, asnjë përtallje, sigurisht asnjë akuzë, por ka sigurisht kundërshtim të tezave të tij.
Hila ka gjithë të drejtën e Zotit që dhe ai të na kundërshtojë, nëse ka argument, por të mbajë gjuhën nën kontroll nga fraza përçmuese, apo dhe me theks pezhorativ, siç islamistë. Kjo sa i përket aspektit etik të çështjes, Në aspekte të tjera, ne vazhdojmë me tonën, ai të vazhdojë me të tijën, sa i përket qasjeve rreth atij konflikti. Lexuesi le të lexojë atë, të na lexojë dhe ne dhe të zgjedhë se kah qëndron e drejta.
Ne duhet t’i kujtojmë z. Hila, i cili mëton ta njeh dhe historinë, atë të luftrave e konfliktive, se mes Izraelit dhe Hamasit nuk është dhe aq e nevojshme të tentosh të vërteta të thella akademike se kush është në drejtën e kush në të padrejtën. Mjaft të ndash se kush është agresori dhe kush i agresuari, se kush është shkaku e kush pasoja, se kush është genocidisti e kush i genociduari. Dhe këto nuk janë ekuacione me shumë të panjohura, janë si një e një bëjnë dy. Dhe, qëndruar te shifrat, ajo çfarë bëri Hamasi në një ditë, u bëhet palestinezëve çdo ditë që nga 1948-ta.
Për qartësim, Hamasi mbetet i papranueshëm nëse në format e veta të reagimit luftarak ka shkelur parime islame të luftës, siç janë viktima të pafajshme e sigurisht pengje të pafajshme, por nuk është ky debati; debati është një shtet e jo një organizatë që ka krijuar e vijon të krijojë një dramë njerëzore prej dekadash. Se ja, po pyesim Hilën: meqë në Jerusalem nuk ka Hamas, ç’kërkojnë kolonë e ushtarë izraelite në xhaminë Al Aksa, duke e bastisur e përdhosur atë, madje dhe në Ramazan, e privuar muslimanët të ushtrojnë besimin e vet aty?!
Dhe një pyetje tjetër sfiduese: a njeh Hila ndonjë rast në histori kur hebrenjve t’u jetë bërë ndonjë padrejtësi nga muslimanët? Dhunë a përsekutim jo e jo. Së paku të ketë ndodhur diç e tillë sa për ta justifikuar deri diku atë lloj mizorie hebreje që vijon prej dekadash ndaj muslimanëve. Nuk ka. E kundërta: kohët më të lumtura në histori të hebrenjve janë ato nën udhëheqjen e përkujdesjen e muslimanëve, ose islamistëve, nëse ka dëshirë t’u drejtohet kështu. Pra mbërrijmë dhe të mosmirënjohja, ndër cenet më të ulëta njerëzore.
Dhe nuk ka si ndodh ndryshe kur kemi të bëjmë me një shtet e ideologji që nuk i ka ofruar botës apo njerëzimit asnjë moral shoqëror e ku nuk ka asnjë moral në funksion të një krenarie kombëtare. Ndaj janë njerëz që u bëjnë të tjerëve atë që të tjerët kanë bërë apo që nuk do dëshironin të bënin ndaj tyre. Dhe këta të tjerë, për ironi, nuk janë muslimanë! /tesheshi.com/