Nga Natasha Lennard*
Në qendrën e qytetit të Këlnit, me dhjetëra gra u ngacmuan seksualisht ndërsa turmat ishin mbledhur për të pritur vitin e ri. 31 të dyshuar janë identifikuar nga policia, të paktën 18 prej të cilëve janë azilkërkues, dhe në një njoftim të partisë Kristiandemokrate që pritet të dielën, theksohet se sulmet “kërkojnë një përgjigje të fortë nga autoritetet”.
Përgjigja, pretendon partia, duhet të jetë specifike. Sipas propozimeve në draftin e hartuar tashmë, refugjatët e dënuar për një krim do të humbasin automatikisht të drejtën për të kërkuar azil, policia do ta ketë më të lehtë të ndalojë të dyshuarit, rrjeti i spiunazhit do të zgjerohet dhe do të instalohen më shumë kamera sigurie.
Drafti lehtësisht i parashikueshëm thotë shumë për debatin e keqmenduar për sulmet e Këlnit, që ka të bëjë më shumë sesa me mbrojtjen e grave, me “kurbanizimin” e personave të tjerë nga Afrika Veriore apo Lindja e Mesme që të mos hyjnë në Gjermani. Përgjigja në vend të kësaj duhej të fokusohej në gjetjen e një zgjidhjeje për kontekstin patriarkial nga i cili nxiten sistematikisht sulme të tilla mbi gratë, sikundër edhe në përkujdesjen për viktimat.
Kristiandemokratët e kancelares Angela Merkel po i orientojnë energjitë e tyre në zgjerimin e kontrollit social dhe shtrëngimin e politikave të azilit – një moment shumë i rrallë kur partitë politike kryesore aktivizohen për dhunën seksuale. Ndërkohë, zëra nga e djathta –që nuk njihen se shqetësohen shumë për viktimat e përdhunimeve – po gurgullojnë neveritshëm ndjenjat kundër refugjatëve në Gjermani dhe përtej saj.
Andreas Scheuer, sekretari i Përgjithshëm i CSU-së në Bavari (aleate e CDU) shkroi në Twitter: “është e padurueshme që në qytetet më të mëdha gjermane, gratë sulmohen seksualisht e grabiten në rrugë nga të rinj emigrantë” – sikur sulmet nga të moshuarit gjermanë të ishin diçka më e durueshme. Për kandidatin e favorizuar në SHBA, Donald Trump, sulmet dhanë material për tërsëllimat e tij raciste, tashmë refren në Twitter.
Këto komente tregojnë, qartaz, se stigmatizimi i të gjithë refugjatëve mbi bazën e veprimeve të disave, është shumë e rrezikshme. Një milion refgjatë hynë në Gjermani vetëm vitin e kaluar, në zhvendosjen më të madhe të refugjatëve në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe të hamendësosh se i gjithë ky grupim është një kërcënim për gratë në Gjermani riprodhon stereotipin më dhunues, një mbetje barbare shekullore që prej një kohe të gjatë nxit diskriminimin pa sjellë asnjë siguri të faktuar për gratë që pretendon se mbron.
Këtë javë revista gjermane, Focus publikoi një shkrim në faqe të parë për sulmet ilustruar me një imazh metonimik: një grua e bardhë lakuriq qëndron tundueshëm në bardh e zi, lëkura e saj e zbehtë e stampuar, më saktë e ndotur – me shenja duarsh me bojë të zezë. Por në fakt, ishte revista gjermane e jo një refugjat i zakonshëm, që e zhveshi gruan nga rrobat e saj. Përgjigjet e gjermanëve ndaj ngjarjeve të tmerrshme të vigjiljes së Vitit të Ri nuk duhet të bien në makinacione raciste po aq arkaike sa edhe përralla e Otellos së Shekspirit.
Ne duhet të jemi dyshues ndaj çdo personi që përpiqet të nxjerrë në pah lidhjet mes Islamit dhe mizogjinisë nëse ato nuk janë të barazshqetësuara për mizogjininë që ndodh në Perëndimin e kulturuar.
Trajtimi i përdhunimit si një problem i importuar nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut që mund të largohet së bashku me refugjatët, injoron rëndë e normalizon një kulturë përdhunimi të gjithëpranishme. Gazeta zvicerane, Neue Zuercher Zeitung paralajmëroi këtë javë për një “kulturë maço të importuar” që ka mbërritur në truallin gjerman me refugjatët. Insinuata se Europa nuk e ka kulturën maço që i rri përshtat apo kulturat maço të sajat, nuk është më pak se një fyerje ndaj feminizmit. Pjesa më e madhe e sulmeve, në fund të fundit, ndodhin në shtëpitë gjermane: përdhunimi martesor ka qenë i ligjshëm në Gjermani deri në vitin 1997.
E gjitha kjo jo për të thënë se sulmet në prag të vitit të ri nuk janë serioze. Një numër sulmesh të njëkohshme kërkojnë një hetim nëse janë të lidhura men njëra-tjetrën me ndonjë normë kulturore apo shoqërore, nëse ka një lidhje të tillë nuk duhet lënë pasdore.
Ne dimë se të paktën 18 azilkërkues janë të dyshuar dhe që viktimat i përshkruan agresorët me dukje afrikanoveriore apo arabe- që janë kategori shumë të gjera. Eshtë e panevojshme të themi se pjesa më e madhe e njerëzve në Gjermani që përputhen me këtë përshkrim, nuk janë azilkërkuesit.
Në kundërshtimin e racizmit, ne duhet të jemi në gjendje të pranojmë se një grup refugjatësh mund të jenë përgjegjës për sulmet dhe se këta individë nuk duhen mbrojtur. Ne ushtrojmë racizëm nëse në mbrojtjen e të drejtave të refugjatëve në përgjithësi, biem në të njëjtën grackë për t’i përfshirë ata në një kategori homogjene për shkak se racizmi vjen nga trajtimi i një grupi të tërë njerëzish si një turmë e padiferencuar. Zgjidhja është që sulmet të merren seriozisht sipas asaj që paraqesin dhe si pjesë e një kamzhiku të përgjithësuar të ngacmimeve seksuale që nuk luftohen duke veçuar grupe specifike etnike.
Sfida kryesore, sipas kolumnistit të Spiegel, Sascha Lobo, është diferencimi. “Të jesh i civilizuar do të thotë të takosh nëntë persona me flokë të zinj që qëllojnë të jenë gomerë, dhe më pas të takosh një person të dhjetë me flokë të zinj e të mos ia fusësh me grusht në fytyrë”, shkruan ai. Fatmirësisht, shumë njerëz e grupime po e mbështesin këtë qasje.
*Natasha Lennar, shkrimtare që jeton në Nju Jork, mbulon të drejtat civile, politikën joelektorale dhe politikën e jashtme. Artikulli është botuar në faqen e Al Jazeera-s.
Përgatiti Juli Prifti- /tesheshi.com/