Ish-presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA) Sepp Blatter dhe futbollisti i madh francez dhe botëror dhe ish-presidenti i Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA) Michel Platini janë liruar nga akuzat për korrupsion.
Procesi në gjykatën në Muttenz të Zvicrës, ku u bë ankesa formale, zgjati dy vjet e gjysmë.
Dhoma e jashtëzakonshme e apelit e gjykatës vendosi se Blatter dhe Platini nuk ishin fajtorë për mashtrim me vlerë prej dy milionë frangash zvicerane që ishin depozituar në llogarinë e Platinit në vitin 2011.
“Përndjekja dhjetëvjeçare nga FIFA dhe disa prokurorë federalë zviceranë tani ka përfunduar. Gjithçka ka përfunduar plotësisht. Dhe sot më është rikthyer nderi dhe jam shumë i lumtur”, tha Platini. Ai beson se rasti kishte për qëllim eliminimin e tij nga gara për president të FIFA-s.
“Kam marrë 10,000 mesazhe mbështetjeje, por tani jam shumë i vjetër për të luajtur sërish futboll”, shtoi ai.
“Michel Platini duhet të lihet më në fund i qetë. Ai gjithmonë ka këmbëngulur se pagesa [e diskutueshme] ishte pagesa e prapambetur. Kjo është konfirmuar nga gjykatat për herë të dytë. Prokuroria Federale ka dështuar të gjejë qoftë dhe një provë të vetme inkriminuese në dhjetë vjet. Ky veprim ishte i pajustifikuar dhe nuk duhej të kishte ndodhur kurrë”, tha avokati i Platini.
Blatter dhe Platini u liruan për herë të parë në vitin 2022 nga një gjykatë më e ulët zvicerane pas një hetimi shtatëvjeçar. Prokurori federal zviceran apeloi vendimin, duke çuar në një seancë të re përpara gjykatës në Muttenz.
Ata akuzoheshin për mashtrim, keqmenaxhim, shkelje të besimit dhe falsifikim dokumentesh.
Rasti tronditi skenën ndërkombëtare të futbollit dhe Blatter dhe Platini u detyruan të largoheshin nga pozicionet e tyre.
Zvicerani Gianni Infantino mori postin e presidentit të FIFA-s në shkurt 2016 dhe në shtator të atij viti slloveni Aleksander Čeferin u bë president i UEFA-s. /tesheshi.com/