Dy persona të armatosur e të maskuar kanë grabitur, mesditën e së mërkurës, filialin e një banke të nivelit të dytë në Durrës.
Ngjarja ndodhi në qendër të qytetit bregdetar, në filialin e një banke që ndodhet përbri Bashkisë, në hyrje të rrugës tregtare.
Dy persona të maskuar e të armatosur janë futur brenda ambienteve të bankës dhe, pasi kanë marrë një sasi parash, janë larguar me një motor.
Policia ka ngritur menjëherë postblloqe të shumta në hyrje-daljet e qytetit, ndërsa shërbime të tjera të forcave blu janë vënë në ndjekje të grabitësve, që janë larguar drejt zonës mes plazhit e Shkozetit.
Në këtë zonë ka pasur edhe të shtëna, ndërsa burime policore bëjnë të ditur se kanë mundur të kapin njërin prej autorëve. Policia ka identifikuar dhe autorin e dytë dhe po punon për kapjen e tij, ndërsa nuk bëhet ende e ditur shuma e parave të grabitura në këtë filial banke.