PDK-ja e Kadri Veselit ka denoncuar parregullsi në procesin zgjedhor për komunat e Prizrenit dhe Rahovecit.
Anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Kujtim Gashi, njëherësh sekretar i degës në Prizren, tha në një konferencë për media se të dielën në këtë qytet ka pasur shumë parregullsi nëpër disa qendra të votimit, të cilat sipas tij e kanë dëmtuar procesin zgjedhor.
Ai ka thënë se për të gjitha parregullësitë kanë paraqitur ankesa me fakte në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, duke kërkuar rinumërim dhe rivotim nëpër qendrat ku janë gjetur parregullësitë, në të kundërtën, Gashi tha se PDK nuk do t’i pranoj rezultatet e balotazhit që u zhvillua më 19 nëntor.
“Ka pasur shkelje të rëndë në qendrat e votimit numër 2004/A në shkollën fillore “Motrat Qiriazi”, në Prizren, pastaj në vendvotimet 2004/A03R, 2004/05R, 2004A/06R, 2004A/07R. Ne tanimë kemi kërkuar edhe zyrtarishtë nga PZAP që të urdhërohet rivotimi në këto vendvotime”, tha Gashi.
Ai po ashtu ka treguar se janë paraqitur ankesa në PZAP edhe për parregullësi të shumta në procesin zgjedhor në komunën e Rahovecit.
“Në qendrën e votimit “Liria” në Bellacërkë është zvogëluar numri i votave të kandidatit tonë Idriz Vehapi. Këtu kërkojmë rinumërim të votave. Ndërsa në qendrën e votimit 1626A në shkollën “Isa Boletini” ka pasur blerje votash për kandidatin Smajl Latifi. Për këtë rast ka edhe fotografi dhe ky rast tanimë është i hapur edhe në Prokurori dhe presim edhe këtu rinunërim”, tha Gashi.
Ai po ashtu ka paraqitur fakte për parregullësi të shumta në qendrën e votimit 1612 në fshatin Ratkoc të Rahovecit, për çka tha se PDK ka kërkuar nga PZAP që të shpall të pavlefshme rezultatet e kësaj qendre të votimit. /tesheshi.com/