PDK-ja e Kadri Veselit ende nuk po pajtohet me humbjen e bastionit të saj, Prizrenit, qytet të cilin e qeverisi nga 2007-ta. Zëdhënësi i kësaj partie Blerand Stavileci, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje e cila doli e para se ka manipuluar dhe shantazhuar në Prizren.
“Ka fakte që njerëz të VV-së kanë manipuluar në Prizren. Këmbëngulja e VV-së për mos rinumërim të votave na e forcon dyshimin që votat janë manipuluar. Bëjmë thirrje që të ketë rinumërim të votave. Në provat që ne i kemi siguruar vrehen veprime te dyshimta dhe vërtetohet se si në mënyrë të paligjshme kryhen veprime brenda qendrave të votimit. I ftojmë organet kompetente të merren me këto prova që do t’i prezantojmë”, ka thënë Stavileci.
Ndërsa Betim Gjoshi, përfaqësues i PDK-së në KQZ, ka thënë se gjatë numërimit të votave me kusht kanë munguar tri zarfe të votave.
“Në Prizren është përdorur treni bullgar. Në ditën e zgjedhjeve më 19 nëntor ka pasur asamblistë të VV të cilët janë paraqitur si vëzhgues por që nuk kanë qenë të akredituar”, ka thënë Gjoshi.
Sipas tij, PZAP duhet të hetojë faktet e paraqituar siç është mungesa e disa zarfeve duke shtuar se do të paraqesin ankesa nga PZAP. /tesheshi.com/