Partia Demokratike ka denoncuar faktin që sipas saj, 3 vjet pas marrjes në dorë të qeverisjes së Shqipërisë nga Edi Rama, të rinjtë shqiptarë kanë zënë majën e klasifikimit europian në ambicien për të braktisur vendin.
Zëdhënësja Ina Zhupa, iu referua të dhënave nga Organizata Ndërkombëtare e Punës, të cilat i quajti tronditëse në këtë pikë.
“Organiza Ndërkombëtare e Punës tregon se përqindja më e lartë e të rinjve nga mosha 15-29 vjeç, që duan të emigrojnë në botë, janë nga Shqipëria. Në raport thuhet se gatishmëria e të rinjve për të emigruar është nxitur kryesisht nga papunësia e lartë dhe mungesa e shanseve dhe besimit për të gjetur një punë. Kjo është gjendja ekonomike në Shqipëri, ky është realiteti ku papunësia rritet, besimi tek të rinjtë është goditur, shpresa për të ardhmen është vrarë, ndërsa shtohet çdo ditë pasuria e qeveritarëve që ndajnë e plaçkisin asetet publike e paratë e shqiptarëve”, tha zëdhënësja Zhupa.
Ajo më tej tha se 300 mijë vendet e punës të premtuara jo vetëm janë harruar, por mijëra të papunë janë shtuar si pasojë e taksave të larta, pasigurisë, mbylljes së bizneseve dhe arrogancës së pushtetarëve, për të shtuar se “të vetmet vende pune në qeverisjen e Edi Ramës dhe me bekimin e tij janë ato të kultivimit dhe ruajtjes së hashashit për llogari të një grushti banditësh dhe qeveritarësh”.
“Largimi nuk është zgjidhja. Shqipëria mund të ofrojë punë, shpresë e të ardhme për rininë. Shqipëria do të jetë më mirë pa Edi Ramën”, ka përfunduar deklarimin e saj zëdhënësja e e PD-së , si për thënë që ka dhe një alternativë tjetër: që vendin ta qeverisë partia e saj. /tesheshi.com/